Mbi 40 mijë të huaj vizituan Kosovën në fundvit

Prishtinë | 07 Shk 2026 | 09:29 | Nga Ekonomia Online

Për vetëm gjatë muajit dhjetor të vitit 2025 në hotelet e Kosovës janë regjistruar 68 mijë e 293 vizitorë, e prej të cilëve 27 mijë e 776 vizitorë vendor, kurse 40 mijë e 517 ishin vizitorë të huaj, e ku numri më i madh sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishin nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.

Kështu bëhet e ditur në publikimin e statistikave të Hotelerisë që ASK e publikoi për muajin dhjetor 2025

Sipas këtyre statistikave, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve në hotele krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Nëse e krahasojmë me dhjetorin e vitit 2024, kur ishin regjistruar 64 mijë e 380 vizitorë, numri i përgjithshëm i vizitorëve është rritur për 6.1 për qind.

Numri i përgjithshëm i net-qëndrimeve ishte 132 mijë e 148, prej të cilave 71 mijë e 624 net-qëndrime (54.2 për qind) u realizuan nga vizitorët e huaj, ndërsa 60 mijë e 524 net-qëndrime (45.8 për qind) nga vizitorët vendorë.

Sa i përket vizitorëve të brendshëm, rajoni i Pejës prin me numrin më të madh të vizitorëve, gjithsej 9 mijë e 655, si dhe me 26 mijë e 550 net-qëndrime. Rritje e theksuar e vizitorëve vendorë është shënuar edhe në rajonin e Prishtinës dhe Prizrenit, ndërsa rënie është vërejtur në disa rajone të tjera.

Ndërkohë, numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rritje prej 2.5 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.

Të ngjashme