Derisa vendi po vazhdon të përballet me sfida në sektorin e energjisë, pas 40 vitesh Korporata Energjetike e Kosovës do të nisë remontin e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, duke kapur shifrën prej mbi 500 milionë euro. Skënder Bucolli, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës, tha se viti 2026 dhe 2027 do të jenë faza sfiduese për vendin.
“Aktualisht gjendet në një periudhë shumë sfiduese sepse ka projekte madhore që nuk kanë ndodhë qe 40 vite në termocentralin Kosova B, që prodhon 65% të prodhimit apo konsumit në Kosovë. KEK tashmë ka kontraktuar projekte madhore të cilat kapin vlerën rreth 500 milion euro në të gjithë KEK-un, por në veçanti në Kosova B, ku janë paraparë 266 milion euro investime. Periudhë sfiduese do të kemi këtë vit dhe vitin e ardhshëm sepse këtë vit do të bëhet modernizimi i turbinave në njësinë B1 si dhe projekti i BE-së nga IPA, projekti i ndërtimit të elektrofiltrave.”, deklaroi Bucolli.
Bucolli tha se remonti do të nisë në prill të këtij viti pavarësisht kundërshtimeve të ZRRE-së.
“Këtë vit parashihet të fillojnë në prill dhe të përfundojnë në fund të dhjetorit. Në këtë planifikim të këtij projekti kjo njësi, sikur ajo tjetra, t’i shtohet jetëgjatësia. Por më me rëndësi është që në këtë vit pas ndërtimit të elektrofiltrave njësia do të punojë me parametrat e BE-së edhe sa i përket mjedisit.”, u shpreh Bucolli për rtv21
Sipas zëdhënësit të KEK-ut, me rritjen e konsumit të energjisë korporata ka filluar të operojë me pesë njësi, gjë që sipas tij është e papërballueshme për punëtorët.
“Në momentin që kemi pa ngritje të konsumit, KEK ka filluar të gjenerojë energji nga pesë njësi, që për KEK-un dhe punëtorët e saj është mjaft vështirë. Gjatë periudhës së verës kemi pasur perodhim më të ulët. Zakonisht të gjitha remontet planifikohen të bëhen gjatë sezonit veror për shkak të uljes së konsumit. Ndërkohë që në periudhën e dimrit zakonisht mundohemi të mbajmë, për atë arsye bëhen planifikimet dhe remontet që të rritet siguria gjatë sezonit dimëror.”, tha Bucolli.
Ky investim që është paraparë të bëhet në Korporatën Energjetike të Kosovës pritet të rrisin jetëgjatësinë e termocentraleve për 20 vitet e ardhshme.