AKB: 22% interes për familjet, 16% për bujqit – a është kjo mbështetje apo fajde e hapur financiar?

Prishtinë | 23 Shk 2026 | 12:06 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim  ndaj normave të interesit që po aplikojnë institucionet mikrofinanciare në Kosovë e ku thotë se sipas raportit të BQK-së kreditë për familjet arrijnë deri rreth 22 për qind, ndërsa për bujqit mbi 16 për qind.

E për këtë kryetari i AKB-së, Agim Shahini thotë se nuk është ndihmë financiare, por barrë që shtyp dhe varfëron edhe më shumë familjet dhe fermerët.

Postimi i plotë:

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) reagon me shqetësim dhe indinjatë ndaj normave jashtëzakonisht të larta të interesit që aplikojnë institucionet mikrofinanciare në Kosovë. Sipas raportit të Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kreditë për familjet arrijnë deri rreth 22% interes, ndërsa për bujqit mbi 16%.

Kjo nuk është më ndihmë financiare.

Kjo është një barrë e rëndë që po i shtyp dhe varfëron edhe më shumë familjet dhe fermerët e Kosovës.

Institucionet mikrofinanciare janë krijuar për të ndihmuar shtresat më të ndjeshme të shoqërisë – familjet me të ardhura të ulëta, bizneset e vogla dhe bujqit. Por realiteti sot po tregon diçka krejt tjetër.

A po e luftojnë varfërinë apo po përfitojnë nga varfëria e qytetarëve?

Kur një familje merr kredi me interes rreth 22%, kjo nuk është zhvillim ekonomik – është një rrugë drejt borxhit të pafund dhe rrezikut për falimentim familjar.

Kur një bujk detyrohet të financohet me mbi 16%, kjo nuk është mbështetje për bujqësinë – është goditje direkte për prodhimin vendor dhe për sigurinë ushqimore të vendit.

AKB vlerëson se këto norma interesi janë të pajustifikueshme dhe socialisht të rrezikshme, dhe në praktikë afrohen me një formë fajdeje të legalizuar me kontrata zyrtare, që po godet pikërisht ata që kanë më pak mundësi dhe më shumë nevojë për mbështetje.

Prandaj, Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon, hetim të menjëhershëm institucional për praktikat e interesit në sektorin mikrofinanciar.

1.Vendosjen e një tavani ligjor për normat e interesit, veçanërisht për familjet dhe bujqit.

 2.Ndërhyrje të shtetit për mbrojtjen e qytetarëve nga kreditë me kosto të papërballueshme.

3.Transparencë të plotë mbi fitimet dhe praktikat financiare të institucioneve mikrofinanciare.

Nëse kjo situatë vazhdon, ekziston rreziku real që sistemi financiar të shndërrohet nga një instrument zhvillimi në një mekanizëm që thellon varfërinë dhe pabarazinë sociale në Kosovë.

Kosova nuk ka nevojë për kredi që i fundos qytetarët.

Kosova ka nevojë për financim të drejtë që i zhvillon familjet, bujqit dhe ekonominë e vendit

Të ngjashme