Analisti politik Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se procesi i diskutimeve për zgjedhjen e presidentit po karakterizohet nga mungesë e theksuar transparence, duke e cilësuar këtë qasje si ofenduese ndaj qytetarëve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Muhaxhiri në një intervistë për Ekonomia Online, tha se përfaqësuesit e opozitës nuk duhet të fshihen pas deklaratave politikisht korrekte, por duhet të sqarojnë indikacionet dhe mundësitë reale, pasi zhvillimet rreth këtij procesi mund të ndikojnë edhe në skenarë të mundshëm si rizgjedhjet apo kandidatura të tjera përveç presidentes aktuale.
“Ajo që është indikative nga këto dy takime është se mungon transparenca edhe kjo është një qasje ofenduese ndaj qytetarëve të Kosovës. Nuk është e drejtë që përfaqësuesit e opozitës të fshihen prapa deklaratave politikisht korrekte dhe të mos tregojnë realisht se cilat janë indikacionet, cilat janë shenjat e mundësive sepse shumëçka do të varet nga ky proces. Pra është potencialisht e mundshëm edhe procesi i rizgjedhor por po ashtu edhe kandidaturat eventuale përveç presidentes Osmani, pra është një punë e cila duhet të ketë transparencë e cila duhet të ketë qartësi sepse nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të lihen deri në fund dhe të mos kenë informata elementare për atë, për ofertat që i ka bë edhe zoti Kurti por edhe përfaqësuesit e opozitës”, tha ai.
Muhaxhiri për Ekonomia Online theksoi se aktualisht nuk ka shenja që kryeministri Albin Kurti është i gatshëm për një qasje më proaktive në raport me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa në skenë nuk ka emra të tjerë seriozë për debat presidencial.
Ai shtoi se opozita kësaj radhe nuk pritet të veprojë si herën e kaluar, kur LDK-ja kishte dhënë vota pa kushte, duke nënvizuar se procesi po shoqërohet me mjegullnajë dhe mungesë qartësie deri në afatet përfundimtare.
“Aktualisht nuk ka asnjë shenjë që kryeministri Kurti është i gatshëm që të jetë më proaktiv në raport me presidenten Osmani dhe që të sikur sikur para pesë viteve ta ketë një lloj aleance me të. Në anën tjetër emrat e tjerë nuk përmenden pra nuk ka ndonjë kandidaturë serioze e cila do të mund të përfshihej në debatin presidencial kështu që aktualisht është vetëm emri i presidentes Osmani por çështja është që unë nuk besoj në asnjë mënyrë që opozita kësaj radhe do të veprojë ashtu siç bëri LDK-ja herën e kaluar, pra që t’ia japin votat blanko pa kërkuar asgjë si kundërvlerë. Edhe mirëpo është një mjegullnajë e madhe, nuk ka aspak qartësi edhe si duket kështu do të shkojmë deri në momentet e fundit të limiteve kohore”, tha ai.
Ndërkohë, kryeministri Kurti pritet të takohet me kreun e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar çështjen e presidentit, pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza.
Kryeministria bëri të ditur pas takimit se palët janë pajtuar që “bashkëpunimi është i nevojshëm “duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”.
Osmanit i skadon mandati 4 prill dhe afati i fundit për votimin e figurës që do ta ketë mandatin e ri është 4 marsi.
Osmani e ka bërë të qartë se synon edhe një mandat, por nuk dihet nëse i ka votat e nevojshme, pasi me raste ajo është përshkruar nga partitë opozitare si e afërt me partinë e Kurtit, Lëvizjen Vetëvendosje.
Partitë tjera nuk kanë përmendur deri më tani një kundërkandidat. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka thënë se do ta shqyrtonte këtë pozitë, nëse partitë tjera opozitare do të kishin disponim, mirëpo, sipas tij, ato kanë qenë të painteresuara.
Për secilën kandidaturë duhet të sigurohen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve.
Kurti i ka 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për zgjedhjen e presidentit duhen të paktën 80 vota prej 120 në total.
Nëse në dy rundet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61 sosh.
Pavarësisht rolit ceremonial presidencial, mospërmbushja e afateve i kushton shtetit.
Nëse Kosova nuk e ka emrin e ri për pozitën e presidentit deri më 4 mars, atëherë duhet t’i organizojë zgjedhjet e reja parlamentare brenda 45 ditësh.

