Dëshmitarja Saraqi dëgjohet në rastin e Nagip Krasniqit

Prishtinë | 26 Shk 2026 | 11:08 | Nga Gzim Mujaj

Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, është dëgjuar dëshmitarja Arjeta Saraqi, e cila ka folur për angazhimin e një konsulenti ligjor dhe për komunikimet lidhur me Isuf Zejnën.

Në seancën e mbajtur të enjten, dëshmitarja, aktualisht menaxhere për planifikim strategjik në KEK dhe ish-shefe e kabinetit të Krasniqit, deklaroi se me emrin Isuf Zejna ishte njohur në një rast kur kryeshefit i kishte ardhur një ftesë nga policia.

“Unë këtë e njoh me një rast kur drejtorit Krasniqi i ka ardhur një ftesë nga policia, ia kam dorëzuar dhe aty e kanë përgatitur një autorizim për personin në fjalë, Isuf Zenaj, që t’i përgjigjet shkresës në polici. Kur ka qenë në zyrë kam folur”, tha ajo, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores së rastit, Firkije Fejzullahu.

E pyetur për aktivitetin e prokurimit për angazhimin e një konsulenti ligjor në vitin 2023, dëshmitarja tha se kërkesa kishte ardhur nga vetë kryeshefi.

“Po, më kujtohet. Kryeshefi Nagip Krasniqi ka kërkuar që të filloj të përgatis një kërkesë për angazhimin e një konsulenti ligjor dhe sipas kërkesës së tij janë plotësuar ato forma dhe është dorëzuar kërkesë në prokurim”, deklaroi ajo.

Sa i përket mënyrës se nga cila zyrë do të duhej të niste një kërkesë e tillë, ajo tha se ekziston zyrë ligjore në KEK, por nuk e di nga kush do të duhej të vinte kërkesa. Për vlerën e paraparë të kontratës, dëshmitarja tha se, sipas kujtesës së saj, bëhej fjalë për rreth 60 mijë euro.

“Nuk më kujtohet se është kohë e gjatë, 60 mijë euro nëse nuk gaboj”, tha dëshmitarja.

Pas përfundimit të pyetjeve të prokurorisë, pyetje për dëshmitaren Saraqi, parashtroi edhe Vyrtyt Ibrahimaga, avokati i të akuzuarit, Nagip Krasniqi, i cili kërkoi të dijë nëse klienti i tij ka pasur preferenca për një operator të caktuar, për çka dëshmitarja Saraqi deklaroi se Nagip Krasniqi nuk kishte ndonjë preferencë të caktuar.

“Jo, nuk mund të them se ka pasur preferencë”, tha ajo.

E pyetur se mbi të cilat parime ka qenë udhëheqja e Krasniqit në punën e tij si ish kryeshef ajo tha se i njejti ka respektuar parimet e KEK-ut për çmim më të lirë, operator serioz dhe kryerje të punës brenda afatit.

“Si drejtorëve të tjerë që kam punuar, si e Krasniqit, ka qenë një parim në KEK që unë e kam pas gjatë punës çmimi më i lirë me pas përparësi, operatori serioz dhe me u krye brenda afatit, sepse krejt projektet tona janë që kanë pasoja në furnizim të energjisë elektrike, dhe Krasniqi në këtë rast ka qenë ai që i ka respektuar dhe unë sa di gjatë punës time këto kritere, njëjtë sikurse edhe pasardhësit e tij”, tha ai.

Sipas aktakuzës, ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohet për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro.

Gjykata Themelore më 23 prill 2025 pati aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes, duke hedhur aktakuzën për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ndërsa pjesa tjetër u rikualifikua në “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën dhe ka vendosur që procedura penale për pesë vepra penale ndaj Krasniqit të vazhdohet sipas dispozitave të procedurës.

Në seancën fillestare më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm. Ymer Dragusha, një tjetër i akuzuar, ka pranuar fajësinë pas marrëveshjes me Prokurorinë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”.

Të ngjashme