Një i burgosur, F.M., që po trajtohej në QKUK është arratisur sot pasdite, ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Për këtë, janë pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues që ishin në detyrë.
I dënuari ishte shtruar në spital më 16 shkurt nga Qendra Korrektuese në Dubravë në QKUK, në repartin e Onkologjisë, kati i dytë, dhoma nr. 2, së bashku me pacientë të tjerë, tha SHKK.
“I njëjti është i dënuar për Veprën Penale Vjedhje e Rëndë, është arrestuar më 24.10.2025 dhe është duke mbajtur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh dhe do të lirohej më 08.06.2029. Menjëherë pas rastit, është njoftuar Policia e Kosovës dhe është themeluar komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e arratisjes dhe dyshimet për shkelje eventuale nga zyrtarët korrektues që kanë qenë përgjegjës për sigurinë dhe prezencën e tij”, tha SHKK.
Pas pranimit të raportit nga komisioni hetimor, Shërbimi Korrektues i Kosovës tha se do të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga ky proces.