BQK hap aktivitetet e Javës Globale të Parasë 2026

Prishtinë | 16 Mar 2026 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) hapi aktivitetet e Javës Globale të Paras (GMW) 2026, një iniciativë globale që synon promovimin e edukimit financiar dhe zhvillimin e aftësive financiare tek të rinjtë.

Si pjesë e ceremonisë hapëse, u ndanë edhe çmimet e konkursit edukativ “Stock Market Learning Competition”.

Në këtë aktivitet morën pjesë Drejtori Menaxhues i Sparkassenstiftung, Niclaus Bergmann, Zëvendësambasadori nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, si dhe studentë, përfaqësues të universiteteve dhe partnerë institucionalë. Java Globale e Parasë është një fushatë ndërkombëtare e koordinuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e cila bashkon bankat qendrore, institucionet financiare dhe institucionet arsimore për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e edukimit financiar dhe vendimmarrjes së përgjegjshme financiare. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është pjesë e kësaj iniciative për të 13-tin vit me radhë.

Në fjalën e tij në ceremoninë hapëse, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi rëndësinë e edukimit financiar për fuqizimin e qytetarëve dhe për zhvillimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Ai nënvizoi se BQK mbetet e përkushtuar në promovimin e edukimit financiar, mbrojtjen e konsumatorit dhe rritjen e përfshirjes financiare në vend.

Guvernatori Ismaili theksoi se gjatë viteve BQK ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të rritur ndërgjegjësimin financiar të qytetarëve. Ndër këto iniciativa përfshihet platforma për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, e cila ofron transparencë mbi tarifat dhe kushtet e institucioneve financiare, si dhe një sërë aktivitetesh edukative me nxënës dhe studentë nga institucionet arsimore në të gjithë vendin. BQK gjithashtu ka zhvilluar iniciativa për promovimin e përfshirjes financiare, përfshirë aktivitete që synojnë përmirësimin e qasjes në shërbime financiare për personat me aftësi të kufizuara, si dhe programe bashkëpunimi me universitete dhe institucione arsimore për të nxitur interesimin e të rinjve për ekonominë dhe financat.

Të ngjashme