CEFTA çelës për integrimin ekonomik në BE, bizneset thirrje për heqjen e barrierave

Prishtinë | 17 Mar 2026 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Zbatimi i Tregut të Përbashkët Rajonal përmes Central European Free Trade Agreement (CEFTA) është parakusht për qasjen në përfitimet e tregut të vetëm të Bashkimi Evropian, ndërsa përmbushja e masave të dakorduara do të përshpejtojë integrimin ekonomik drejt BE-së, u tha në një aktivitet kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, vendet janë zotuar për anëtarësim më të shpejtë dhe proces të përshpejtuar para-anëtarësimi.

“Në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, jemi zotuar që bashkë t’i ofrojmë rajonit një anëtarësim më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe natyrisht proces të para-anëtarësimit. Shtylla e dytë e Planit të Rritjes, Tregu i Përbashkët Rajonal, është një parakusht për qasjen në përfitimet e tregut të vetëm të Bashkimit Evropian. Zbatimi i tregut rajonal përmes CEFTA-s sjell përfitime reale dhe të prekshme për qytetarët dhe kompanitë tona. Është detyrë e jona, si vendimmarrës dhe politik bërës, që këto rezultate të prekshme dhe këto mundësi reale t’i bëjmë sa më konkrete, të eliminojmë procedurat burokratike, pengesat apo barrierat tarifore apo jo-tarifore që ekzistojnë apo kanë ekzistuar, edhe në rajon, edhe në raport me qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve me Bashkimin Evropian. Duke përmbushur masat e dakorduara, do të përshpejtojmë përparimin tonë drejt integrimit më të thellë ekonomik në tregun e vetëm, në Bashkimin Evropian. Ne e shohim Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore jo vetëm si një marrëveshje, por si një instrument praktik për lehtësimin e tregtisë, heqjen e barrierave dhe mundësimin që bizneset tona të rriten, të investojnë dhe të jenë në gjendje të konkurrojnë në tregje më të mëdha”, tha ajo.

Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Prishtinë, Boguslaw Gertrude, theksoi se mbështetja për rajonin përfshin edhe mbështetjen për CEFTA-n dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, duke përmendur se kryesimi i Kosovës vitin e kaluar mundësoi zhbllokimin e emërimit të drejtorit të CEFTA-s dhe miratimin e 12 vendimeve nga Komiteti i Përbashkët.

“Mbështetja për aktivitetet në rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshin gjithashtu mbështetjen për aktivitetet e Central European Free Trade Agreement dhe të Tregut të Përbashkët Rajonal. Kryesimi i Kosovës vitin e kaluar bëri të mundur zhbllokimin e emërimit të drejtorit të CEFTA-s dhe miratimin e gjithsej 12 vendimeve nga Komiteti i Përbashkët, duke avancuar më tej këtë kornizë të integrimit ekonomik rajonal. Dhe ne shpresojmë shumë që këtë vit, nën kryesimin e Shqipërisë, CEFTA të bëjë përparime të mëtejshme”, tha ai.

Ai shtoi se zbatimi i vendimeve mbetet thelbësor, duke veçuar nevojën për ratifikimin e protokolleve shtesë 5, 6 dhe 7, si rekomandim kyç në raportin vjetor të European Commission për Kosovën.

“Natyrisht, vendimmarrja nuk është gjithçka. Që vendimet të kenë ndikim pozitiv, zbatimi është po aq i rëndësishëm sa edhe miratimi. Dhe vërtet, ndërsa disa hapa të rëndësishëm mbeten për t’u ndërmarrë në rastin e Kosovës, në veçanti bëhet fjalë për miratimin, pra ratifikimin e protokolleve shtesë 5, 6 dhe 7. Kjo çështje është theksuar prej kohësh si një rekomandim kyç në raportin vjetor të European Commission për Kosovën dhe zbatimi i këtyre protokolleve për thjeshtimin e inspektimeve doganore, për tregtinë e shërbimeve dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përkatësisht, do ta lehtësonte ndjeshëm të bërit biznes në Kosovë, si brenda tregjeve rajonale ashtu edhe më gjerë. Mbështetja për CEFTA-n, për integrimin ekonomik rajonal, është pjesë, është shtylla e dytë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili në tërësi krijon stimuj të fortë për integrim më të thellë rajonal dhe të harmonizuar me BE-në”, tha ai.

Drejtoresha e Sekretariatit të CEFTA-s, Pranvera Kastrati, tha se objektivi mbetet që tregtia të bëhet më e shpejtë dhe më e sigurt, duke theksuar se viti 2026 shënon 20-vjetorin e marrëveshjes, raporton Ekonomia Online.

“Dhe objektivi është që tregtia të bëhet më e shpejtë, më e sigurt dhe me ndikim për bizneset, por edhe për qytetarët. Këtë vit, vërtet, 2026 shënon një moment shumë të rëndësishëm për Central European Free Trade Agreement. Janë bërë 20 vjet që nga nënshkrimi fillestar i marrëveshjes CEFTA dhe në këtë rrugëtim të gjatë kemi arritur shumë, por njëkohësisht jemi përballur edhe me pengesa, vështirësi dhe sfida që i kemi adresuar. Ballkani Perëndimor aktualisht qëndron në rreth 40% të PBB-së për frymë të BE-së dhe, me ritmin aktual të konvergjencës, do të na duhen deri në vitin 2074 për të arritur mesataren e BE-së”, tha ajo.

Ajo nënvizoi se gjatë vitit 2025 rreth 1.4 milionë kamionë në CEFTA u mbuluan nga shkëmbimi i të dhënave elektronike, duke sjellë kursime kumulative të kohës së pritjes prej rreth 12 vitesh krahasuar me një vit më parë

“Ne po vendosim procedura tregtare më të shpejta dhe më të parashikueshme përmes masave të lehtësimit të tregtisë dhe korridoreve të gjelbra. U përmend tashmë një shifër se sa shumë korridoret e gjelbra e kanë përmirësuar tregtinë ndërmjet palëve të CEFTA-s. Më lejoni të jap një tjetër shifër domethënëse: në vitin 2025, rreth 1.5 milionë kamionë në CEFTA u mbuluan nga shkëmbimi i të dhënave elektronike. Kjo solli kursime kumulative të kohës së pritjes prej rreth 12 vitesh krahasuar me një vit më parë, duke treguar tashmë rëndësinë e lehtësimit të tregtisë në të gjithë rajonin”, tha ajo.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se për komunitetin e biznesit CEFTA përfaqëson një kornizë praktike që ndikon drejtpërdrejt në operimin dhe zgjerimin e kompanive në rajon.

“Për komunitetin e biznesit Cefta përfaqëson shumë më tepër se sa një marrëveshje rajonale tregtare. Ajo është një kornizë praktike që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si kompanitë tona operojnë, tregtojnë, investojnë dhe zgjerojnë aktivitetet e tyre në të gjithë rajonin. Nga perspektiva e sektorit privat, suksesi i CEFTA-s në fund matet me një pyetje shumë të thjeshtë: A bëri kjo më të lehtë që bizneset të operojnë dhe të zhvillohen?”, tha ai.

“Kompanitë tona, eksportuesit, prodhuesit, ofruesit e logjistikës dhe operatorët e shërbimeve përballen çdo ditë me realitetin e tregtisë rajonale. Ato hasin në barriera administrative, vonesa në kufi, fragmentim rregullator dhe kosto të panevojshme që kufizojnë potencialin e tyre për ta zgjeruar në tregje të ndryshme. Në të njëjtën kohë, ato janë edhe të parat që prekin përfitimet konkrete kur procedurat thjeshtohen, kur rregullatorët bëhen më koherentë dhe kur tregjet bëhen më të qasshme. Kjo është arsyeja pse programet e punës së CEFTA-s kanë një rëndësi kaq të madhe për sektorin privat”, tha ai.

Të ngjashme