Në Klinikën e Onkologjisë në kuadër të QKUK-së po zbatohet një qasje moderne dhe multidisiplinare në trajtimin e melanomës malinje, duke kombinuar diagnostikën e avancuar me terapitë më të reja në fushën e onkologjisë.
Sipas drejtorit të kësaj klinike, Ilir Kurtishi pacientët tashmë përfitojnë nga metoda inovative trajtimi, përfshirë terapinë target për pacientët me mutacion BRAF, si dhe imunoterapinë moderne të tipit anti-PD-1, e cila ka sjellë përmirësim të dukshëm në prognozën e sëmundjes.
“Falë këtyre zhvillimeve, sot melanoma nuk është më një diagnozë pa shpresë – shumë pacientë arrijnë kontroll afatgjatë të sëmundjes dhe cilësi më të mirë të jetës”.”, thuhej në njoftim.
Po ashtu, në dispozicion është edhe radioterapia e avancuar, e cila përdoret si për kontroll lokal të tumorit ashtu edhe për trajtim paliativ, duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.
Klinika e Onkologjisë në QKUK mbetet e përkushtuar për të ofruar trajtime bashkëkohore dhe kujdes të standardeve të larta për të gjithë pacientët.