Nënshkruhet kredia 80 milionë euro për reformat në sektorin e energjisë

Prishtinë | 18 Mar 2026 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka nënshkruar me Bankën Zhvillimore Gjermane (KfW) marrëveshje në vlerë prej 81 milionë euro për të mbështetur reformat në sektorin e energjisë, raporton Ekonomia Online.

Paketa përfshin kredi prej 80 milionë euro dhe grant prej 1 milion euro, të cilat do të mbështesin drejtpërdrejt zbatimin e reformave në këtë sektor, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, në prani të ambasadorit gjerman, Rainer Rudolph.

Murati tha se marrëveshja do të shërbejë edhe në integrimin energjetik me rajonin dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.

“Sapo morëm pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një kredie dhe një marrëveshjeje për grant. Kjo marrëveshje financiare është nënshkruar me KfW, Bankën Zhvillimore Gjermane. Bëhet fjalë për një mbështetje financiare në vlerën prej 80 milionë eurosh, e cila do të shërbejë si mbështetje buxhetore për reformat e parashikuara në kuadër të integrimit energjetik me rajonin dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Këto reforma na afrojnë më shumë drejt konvergjimit, si në politika, ashtu edhe në përgatitjen e sistemit tonë energjetik, për të garantuar të drejta të plota në ENTSO-E dhe për integrimin në të gjithë sistemin energjetik rajonal e më gjerë. Kjo është një mbështetje e jashtëzakonshme për të cilën i jemi falënderues shtetit gjerman dhe bankës KfW. Besoj se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe më tutje, sidomos në fushën e energjisë, por edhe në fusha të tjera”, tha Murati.

Udhëheqësi i divizionit të energjisë në KfW, Pablo Obrador Alvarez, tha se ky është programi i parë i këtij lloji për Kosovën, i cili plotëson mbështetjen ekzistuese dhe krijon bazë për modernizim të mëtejshëm dhe integrim të sektorit energjetik.

Ai theksoi se instrumenti synon të plotësojë financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në sektorin e energjisë, duke mbështetur qeverinë në zbatimin e reformave të nevojshme për tranzicionin energjetik,

“Për KfW-në, kjo është kredia e parë e bazuar në politika (policy-based loan) që po nënshkruajmë me Kosovën, prandaj ky është një hap shumë i rëndësishëm për ne.

Ky instrument i ri synon të plotësojë financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në sektorin e energjisë, duke mbështetur qeverinë në zbatimin e reformave të nevojshme për tranzicionin energjetik. Falënderojmë qeverinë dhe juve personalisht, ministër, për besimin dhe bashkëpunimin shumë të mirë të deritanishëm. Shpresojmë që në vitet e ardhshme të realizojmë së bashku reformat e parashikuara në këtë program”, tha Obrador Alvarez.

Të ngjashme