Lëvizja FOL: Mungesa e konsensusit politik po bllokon zgjidhjen e çështjes së presidentit

Prishtinë | 22 Mar 2026 | 08:00 | Nga Drita Dërmaku

Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës i dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka nxitur reagime të ndryshme.

Në Lëvizjën FOL vlerësojnë se mungesa e konsensusit politik nga partitë politike rezultoi me situatën e krijuar në vend.

Menaxherja e projektit në këtë organizatë, Burbuqe Kastrati në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se mungesa e konsensusit dhe e kulturës së kompromisit mes partive ka shkaktuar një problem të përsëritur me çështjen e presidentit, duke çuar vendin në një bllokadë institucionale.

Ajo shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të japë përgjigje mbi dekretin presidencial dhe shpreson që të nxisë komunikimin ndërpartiak, duke shmangur nevojën për zgjedhje të reja që qytetarët nuk do t’i mirëprisnin.

Kastrati, përmendi mungesën e kulturës së kompromisit që sipas saj, shkakton problem të përsëritur për çështjen e presidentit.

“Ne e kemi parë me shqetësim të thellë çështjen e rikthimit të Kosovës në atë që faktikisht ishte një bllokim institucional për një vit, thuajse nga ana e… pra kishim një qeveri jofunksionale, në të njëjtën kohë kishim edhe një qeveri në detyrë për thuajse një vit. Besoj që ky, ky rast në të cilin pra gjindemi momentalisht ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mungesën e një konsensusi politik të partive kosovare në raport me çështjen e presidentit. Pra, duket që partitë në Kosovë nuk kanë arritur ende ta krijojnë kulturën e kompromisit edhe të komunikimit në raport me çështjen e presidentit. Pra, duket si një problem i përsëritur çështja e presidentit edhe bllokada që i vihet pra institucioneve sa herë vihet çështja, pra pozita e presidentit në çështje”, theksoi ajo.

Kastrati u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet t’i jep përgjigje çështjes së dekretit.

“Për neve është shumë e rëndësishme që ky proces të shkojë, domethënë Gjykata Kushtetuese, duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo për neve është një, pra një vendim i cili besoj që do ta rikthejë një lloj edhe do t’i japë përgjigje çështjes së dekretit. Meqenëse, pra, duke pasur parasysh që çështja e presidentit nuk arriti të zgjidhej në seancën e fundit, që në fakt ishte seanca e cila u pa me një lloj marrëveshje që të bëhen amendamente kushtetuese në raport me zgjedhjen e presidentit, pra u pa që nuk ka një marrëveshje në raport edhe nuk ka numra të caktuar në raport me presidentin nga partitë politike”, tha ajo.

Kastrati theksoi se bllokada erdhi nga partitë politike dhe se shpreson se vendimi i Kushtetueses të shërbejë për komunikim.

“Ne shpresojmë që ky dekret do t’i japë një përgjigje edhe bllokadës institucionale, varësisht që a do të përfundojë vendi prapë në zgjedhje të reja apo edhe do të ketë një rifillim të procesit të presidentes. Meqenëse nuk janë ezauruar pra tre herat siç shihet në Kushtetutë, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës ku pra është procedura që faktikisht bëhet, pra zhvillohet tre herë derisa të arrihet në kuorumin, domethënë herën e fundit ku edhe kuorumi duhet të jetë me 61 vota. Pra, shihet që ka një lloj bllokade nga partitë politike edhe një mosmarrëveshje të qartë në raport me emrin e presidentit, po edhe shihet që nuk ka numra. Andaj besoj që edhe kjo periudha që vendi pret një vendim të Gjykatës Kushtetuese, besoj që do të shërbejë edhe për partitë politike kosovare që faktikisht ta fillojnë edhe komunikimin edhe një herë për zhbllokimin e institucioneve nga kjo gjendje”, u shpreh Kastrati.

Kurse, sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja, Kastrati tha se qytetarët nuk do ta mirëprisnin një gjë të tillë dhe se një marrëveshje mes partive politike do të ishte zgjidhja më e mirë.

“Ne kemi pasur një vit tërësisht të humbur. Kjo u tha edhe dje edhe nga ana e Komisionit Evropian në raport me agjendën tonë evropiane, edhe me çdo aspekt tjetër në vend. Besoj që viti i kaluar ka qenë prapë, kemi pasur katër palë zgjedhje, pra nacionale, pastaj lokale edhe prapë nacionale në dhjetor. Besoj që qytetarët e Kosovës nuk do ta mirëprisnin këtë gjë meqenëse kemi shpenzuar një vit komplet në zgjedhje dhe unë besoj që komunikimi ndërpartiak edhe gjetja e një kompromisi në raport me një president do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin në këtë pikë ku jemi”, theksoi ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerrë dekret për shpërndarje të Kuvendit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.

“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti në pushtet tha se shpërndarja e Kuvendit paraqet akt të paprecedent që bie ndesh me rendin dhe rastin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

Më 5 mars ishte afati i fundit kur Kosova do të duhej ta zgjidhte presidentin, 30 ditë para skadimit të mandatit të Osmanit më 4 prill.

Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita. Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Si pasojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

Të ngjashme