PSD “rikthehet” te VV-ja, ia dorëzon ftesën për debat, Molliqaj: Askush se ndal aktivizmin tonë

Prishtinë | 21 Maj 2026 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar të enjten një aksion para zyrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, me ç’rast përfaqësues të partisë kanë dorëzuar një ftesë për debat, raporton Ekonomia Online.

I pari i PSD-së, Dardan Molliqaj, deklaroi se vendi ka mbetur pa opozitë, andaj edhe do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.

“Në vendet demokratike, pushteti frikësohet nga opozita. Ne kemi pasur një praktikë ku opozita është frikësuar nga pushteti. Po qysh e patë edhe sot, kjo nismë, ky rrugëtim i Partisë Socialdemokrate për opozitë, jo për pazare, i jep efektet e para. Domethënë, na bllokuan hyrjen me polici. Kur kam qenë unë aktivist në Vetëvendosje dhe të tjerët, policia na ka nxjerrë zvarrë nga zyrat për shkak të aktiviteteve dhe të kauzave. Sot policia po përdoret me i pengu, me i pengu aktivitetet opozitare. Në demokraci çështje më të rëndësishme se debati nuk ka. Nëse demokracia reduktohet në votë dhe në procedurë, ajo bëhet tirani. Kërkesa e partisë-pushtet për më shumë vota në këto zgjedhje, e shpërfaq edhe një herë qartazi dëshirën për më shumë pushtet, më pak demokraci, më pak debat. Po ajo kohë me Partinë Socialdemokrate, nëse qytetarët e saj do ta votojnë dhe do ta mbështesin, përfundon”, ka deklaruar Molliqaj.

“Siç e patë sot, skena të tilla keni me parë gjithnjë e më shumë edhe në këtë fushatë, edhe në Kuvendin e Kosovës. Vetëvendosja i tutet veç Partisë Socialdemokrate. Qysh e patë, edhe zyrtarët brenda që pastronin, u drodhën. Thonë ti që ka ardhë ndokush, PSD-ja ka ardhë, Dardan Molliqaj ka ardhë me media, me një zarf, isha. Paramendoni me qenë PSD-ja në Kuvend. Paramendoni qysh do të duken këta. Se këta janë mësuar me opozitarë që s’kanë as kredibilitet moral, as guxim politik, as vetëdije, as aktivizëm. Erdha sot me i sfidu i bindur, i vetëdijshëm që s’janë gati. Kosova ka nevojë për debat. Edhe erdha sot me e ftu Vetëvendosjen në debat para zgjedhjeve për ide, për diskutime, jo për pazare qysh diskutojnë me Lumirin e me Bedriun e me të tjerët”, tha Molliqaj.

Ai tha se beteja e vërtetë politike ideore është mes Partisë Socialdemokrate dhe Vetëvendosjes.

“Ajo që është e rëndësishme është që edhe media ta bëjë këtë punë. Nuk ka debat tjetër në këtë vend. Vetëvendosja po bën debat sot me partitë opozitare sepse i ka damkosur ato. Vetëvendosja e ka kryer betejën me këto parti që kanë qenë deri dje opozitë. Beteja e vërtetë politike ideore është mes Partisë Socialdemokrate dhe Vetëvendosjes. Kjo është sfida. E ftoj Vetëvendosjen, nuk qesim kriter. Cilindo kandidat të tyre prej 1 deri 110, me cilindo prej nesh, sa herë të duan, ku të duan, në cilindo debat, në cilindo emision. Nëse s’kanë gatishmëri për debat, nëse na frikësohen e i marrin policinë, nëse dridhen prej zarfave, le të bëhen gati me u dridhë hala më shumë prej debateve, sfidave, aksioneve, protestave. Jo pse i duam ne, jo pse janë për qejf të këtyre, po sepse Kosova duhet me mbetë vend demokratik. Prandaj besoj që media do ta bëjë punën e vet, t’i ftojë. Këta e di që do të flasin për numra, e jepni ju një përgjigje në emrin tim. Kur kemi qenë bashkë, s’kemi pasur numra. Kur kemi hyrë në Kuvend në 2010-ën, nuk kemi pasur parti parlamentare, po partitë e tjera na kanë pranuar në debat. Nuk ia kanë nisur debatet me partitë e tjera veç mbasi kemi hyrë në Kuvend. Rregullat formale që duhet të ftohen partitë parlamentare nuk ekzistojnë në demokraci, sepse kështu mbytet demokracia. Kështu i bie që “futu në Kuvend e mandej të thërrasim në debat”. E kundërta është: shkon në debat për me shku në Kuvend. Nuk ka nevojë me u frikësu, beteja jonë me ta është beteja e aktivizmit dhe beteja e ideve”, ka thënë Molliqaj.

“Ama, edhe një herë po e përsëris, as policia, asnjë gjë tjetër nuk e ndal aktivizmin tonë. Frika e tyre e sotme, frika e tyre e nesërme nuk mbytet me numra. Ideja, kur edhe i vjen koha, nuk ndalet as me dhunë, as me shtypje. Prandaj ne jemi të bindur që Kosova e ka rastin unik, ne do ta bëjmë punën maksimale që Kuvendit të ardhshëm, pas 7 qershorit, t’i ofrojmë opozitë që s’e kanë parë. Qysh i shkuam sot në zyre të partisë, do t’i shkojmë në zyre të komisioneve, të qeverisë, të ministrave, nuk ka me pasur më qeverisje të qetë sepse nuk ka më opozitë formale e të pazareve. Opozita e vërtetë dhe përnjëmend është Partia Socialdemokrate”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj, theksoi se aksione të tilla do të ndërmerren sërish nga PSD-ja për të moslejuar më një “qeverisje të qetë” të Vetëvendosjes.

Të ngjashme