27-vjetori i ndërhyrjes, Kurti: E kujtojmë me mirënjohje ndihmën e jashtëzakonshme të NATO-s

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s 27 vjet më parë për të ndalë spastrimin etnik në Kosovë.

Kurti tregoi kronologjinë e ngjarjeve duke theksuar se përpjekjet diplomatike kishin dështuar, duke e detyruar NATO’n të nisë fushatën e bombardimeve.

“Kjo fushatë erdhi më shumë se një vit pas fillimit të luftës në Kosovë dhe një ditë pasi u bë e qartë përfundimisht, që Serbia e drejtuar nga Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, nuk do të pranonte asnjë ultimatum për të ndaluar operacionet ushtarake dhe policore në Kosovë kundër popullsisë civile dhe për të tërhequr forcat nga Kosova dhe se nuk do të pranonte asgjë nga ofertat diplomatike për zgjidhje politike të çështjes së Kosovës”.

Në fund, Kurti ka falënderuar shtetet anëtare të NATO-s për vendimin për të ndërhyrë dhe veçoi rolin e SHBA-së.

“Andaj ne e kujtojmë me mirënjohje ndihmën e jashtëzakonshme të të gjitha vendeve të NATO-s dhe nderojmë veçanërisht rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën e popullit të Kosovës për liri me demokraci dhe shtetndërtim me integrim”, tha ai.

Postimi i tij i plotë:

Sot janë bërë 27 vite nga dita e parë e fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, e cila e ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik që shteti pushtues i Serbisë po e kryente ndaj shqiptarëve vendas në Kosovë.

Më 24 mars 1999, forcat ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën Operacionin Forca Aleate, duke i bombarduar nga ajri forcat ushtarake dhe policore të Jugosllavisë dhe infrastrukturën e tyre. Kjo fushatë erdhi më shumë se një vit pas fillimit të luftës në Kosovë dhe një ditë pasi u bë e qartë përfundimisht, që Serbia e drejtuar nga Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, nuk do të pranonte asnjë ultimatum për të ndaluar operacionet ushtarake dhe policore në Kosovë kundër popullsisë civile dhe për të tërhqeur forcat nga Kosova dhe se nuk do të pranonte asgjë nga ofertat diplomatike për zgjidhje politike të çështjes së Kosovës.

Ashtu siç edhe deklaroi në mbrëmjen e 24 marsit, Presidenti Bill Clinton: “Gjatë muajve të fundit kemi bërë gjithçka që kemi mundur për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë paqësore. Sekretarja Albright ka punuar pa ndërprerë për të negociuar një marrëveshje. Zotëri Millosheviq ka refuzuar. Të dielën e dërgova ambasadorin Holbrooke në Serbi, për t’ia qartësuar në emër të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë të NATO-s, se duhet të respektojë zotimet e tij dhe të ndalë shtypjen, ose të përballet me veprime ushtarake. Por, ai sërish refuzoi. Sot, ne dhe 18 aleatët tanë të NATO-s, kemi rëmë dakord ta bëjmë atë që kemi thënë më parë se do ta bëjmë, atë që duhet ta bëjmë për ta rikthyer paqen. Misioni ynë është i qartë: të tregojmë seriozitetin e qëllimit të NATO-s, në mënyrë që udhëheqësit serbë ta kuptojnë domosdoshmërinë e ndryshimit të kursit të tyre të veprimit, ta parandalojmë një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë dhe nëse është e nevojshme, ta dëmtojmë seriozisht aftësinë ushtarake të Serbisë për ta dëmtuar popullin e Kosovës. Me pak fjalë, nëse Presidenti Millosheviq nuk bën paqe, ne do t’ia kufizojmë aftësitë për të bërë luftë.”

Përtej pritjeve dhe parashikimeve, Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit nuk u dorëzua edhe për gati tre muaj. Kështu, 19 shtete anëtare të NATO-s e bombarduan Jugosllavinë për 78 ditë dhe netë, deri më 10 qershor kur Marrëveshja Teknike Ushtarake e nënshkruar në Kumanovë, i dha fund luftës në Kosovë.

Fatkeqësisht, pikërisht gjatë atyre ditëve, Serbia i intensifikoi veprimet në terren për ta realizuar planin “Patkoi” për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët, duke dëbuar mbi 860 mijë shqiptarë nga Kosova dhe zhvendosur rreth gjysmë milioni të tjerë brenda saj. Vetëm gjatë muajit prill të vitit 1999, shteti i Serbisë, përmes forcave të armatosura policore dhe ushtarake, vrau mbi 4000 civilë shqiptarë. Shumë prej tyre ishin viktima të masakrave të ekzekutuara gjithandej Kosovës, kurse jo pak prej tyre ende janë të zhdukur.

Tragjedia e popullit të Kosovës e shtrirë ndër dekada por e kulmuar në luftën e viteve 1998 dhe 1999, e sensiblizoi botën demokratike perëndimore dhe e vuri në lëvizje aleancën më të madhe ushtarake në histori, NATO-n, për të ndërhyrë ushtarakisht me qëllim të ndalimit të gjenocidit, spastrimit etnik dhe krimeve të tjera shtetërore të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Duke e pasuar luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fushata bombarduese e NATO-s mbi Jugosllavi dhe hyrja e trupave të saj pastaj në Kosovë në qershor të vitit 1999, e solli lirinë e Kosovës. Kjo i hapi rrugë ndërtimit të demokracisë dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.

Andaj ne e kujtojmë me mirënjohje ndihmën e jashtëzakonshme të të gjitha vendeve të NATO-s dhe nderojmë veçanërisht rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën e popullit të Kosovës për liri me demokraci dhe shtetndërtim me integrim.

Të ngjashme