Komuna e Prishtinës do të zhvilloj aksion për heqjen e tabelave të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”

Prishtinë | 28 Mar 2026 | 08:10 | Nga Ekonomia Online

Një ekspozitë në mes të sheshit qendror të Prishtinës, e financuar nga Kuvendi, përmban shifra të pasakta për masakrat e ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë ekspozitë, të vendosur me rastin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s, një pjesë e konsiderueshme e civilëve që janë vranë nëpër masakra janë cilësuar si persona të armatosur.

Për këto pasaktësi kanë reaguar të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, Enver Dugolli dhe Sadik Zeqiri, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka quajtur ekspozitën cenim të drejtpërdrejt të së vërtetës historike. Pas këtyre reagimeve, Komuna e Prishtinës e ka pezulluar lejen për ekspozitën dhe ka njoftuar se sot nga ora 10:00 ekipet e kryeqytetit do ti largojnë tabelat e ekspozitës nga sheshi.

Pothuajse në të gjitha tabelat e ekspozitës ka pasaktësi. I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, i cili pos që ka shprehur shqetësim për deformim të historisë, e ka kërkuar edhe përfshirjen e Prokurorisë në këtë rast.

“Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka theksuar Dugolli, i cili ka ftuar Prokurorinë që ta hetojë këtë çështje, ndërsa organizatorëve u ka bërë thirrje që t’i përmirësojnë të dhënat.

E i mbijetuari tjetër i kësaj masakre, Sadik Zeqiri, e ka quajtur të turpshme dhe shtrembërim të vërtetës ekspozitën.

“Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta. A e keni parë çfarë keni shkruar për masakrën e Dubravës? Si është e mundur të pretendoni se 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë janë vrarë në Dubravë? Nga i keni marrë këto “fakte”? Në Serbi? Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur. Të gjithë kanë qenë duarthatë dhe të pambrojtur. E vërteta është kjo: 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa ende figuron i zhdukur Ukshin Hoti. Mbi 400 të tjerë janë plagosur. Kjo nuk është thjesht gabim – është shtrembërim i rëndë i së vërtetës. Turp për këtë. Edhe një kërkim-falje nuk mjafton”, ka shkruar ai në Facebook.

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i ka quajtur të papranueshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të të vërtetës historike shfaqjen e pasaktësive në ekspozitë. Ai ka bërë thirrje që të tërhiqen menjëherë përmbajtjet e pasakta.

“Ekspozimi në sheshin e Prishtinës i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike. Në kuadër të një ekspozite publike për masakrat e luftës 1998/99, janë evidentuar raste ku faktet janë paraqitur gabimisht dhe, në disa raste, edhe në mënyrë të shtrembëruar. Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë. Kjo nuk qëndron. Në Krushë të Madhe janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim ‘selektiv’”, ka shkruar ai në Facebook

“E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet. Ajo është themel i drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë sonë”, ka përfunduar Hoti.

Pas reagimeve, Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për ekspozitën. Kryetari, Përparim Rama, ka thënë se nuk do të lejojë që në shesh “të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e popullit”. “Ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.

Krahas për Dubravën, ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë, ndërkaq Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovës përmend të paktën 45 civilë shqiptarë. Në sulmin në periudhën 5-7 mars 1998 në Prekaz, sipas ekspozitës, janë 40 civilë të vrarë. E Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë përmend 59 jetë të shuara gjatë këtyre sulmeve.

Ditë më parë ka reaguar edhe një i mbijetuar i Masakrës së Belegut, Endrit Binakaj, i cili ka bërë të ditur se kjo masakër nuk është e përfshirë fare në këtë ekspozitë. Ai ka thënë se mungesa e saj “është padrejtësi e thellë morale ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”.

Ekspozita është e bazuar në librin e Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, i cili është promovuar në disa vende të botës. Në parathënien e librit, autori Gashi ka shkruar se për të përpiluar tekstet ka marrë për bazë raportet e organizatave prestigjioze për të drejtat e njeriut, si Amnesty International (AI), Humanitarian Law Center (HLC), Human Rights Watch (HRW), International Crisis Group (ICH), Orgnization for Security and Cooperation in Europe (OSCE), e më rrallë edhe ndonjë tjetër. Autori i librit ka qenë këshilltar i kryeministrit, Albin Kurti.

Kjo ekspozitë është realizuar mes tjerash edhe me mbështetje financiare nga Kuvendi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka vizituar këtë ekspozitë më 24 mars. Sipas komunikatës nga Kuvendi, ajo është shprehur se “nuk është e lehtë të ecësh mes këtyre dëshmive, por është e domosdoshme për të kuptuar thellësinë e dhimbjes dhe padrejtësitë e përjetuara”. “Çdo panel rrëfen një krim të rëndë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, krime të kryera nga forcat serbe, dhe sjell para nesh një të vërtetë që nuk mund të fshihet apo të mohohet. Republika e Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Lavdi të rënëve për liri!”, pati thënë ajo.

E pas reagimeve, Glauk Tahiri, këshilltar politik i kryetares së Kuvendit, ka thënë se Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë apo të verifikojë saktësinë e përmbajtjes së materialeve të zhvilluara nga organizatat joqeveritare.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet iniciativa të shoqërisë civile, artistëve dhe organizatave që kontribuojnë në trajtimin e çështjeve me interes publik. Megjithatë, roli i Kuvendit në këtë kontekst lidhet me mbikëqyrjen e përdorimit të mjeteve publike, përkatësisht nëse fondet janë shpenzuar në përputhje me projektin e miratuar. Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë apo të verifikojë saktësinë e përmbajtjes së materialeve të zhvilluara nga organizatat joqeveritare. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të projekteve të tilla mbeten përgjegjësi e plotë e organizatave dhe/apo individëve që i kanë hartuar ato”, thuhet në përgjigjen e Tahirit.

Ai ka thënë se në burime të ndryshme ka të dhëna të ndryshme dhe se Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë është themeluar me qëllim që të arrihet saktësia dhe të shërbejë si referencë në raste të tilla. Megjithëkëtë, ai ka thënë se Kuvendi do t’i adresojë vërejtjet e ngritura tek organizatorët dhe do të kërkojë që çdo pasaktësi të shqyrtohet dhe të korrigjohet në përputhje me të dhënat e verifikuara.

Ndërkaq në një sqarim të dytë të premten, Kuvendi i Kosovës ka thënë se mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik dhe se këtë e bën pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve.
“Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, thuhet në reagimin për media.

Megjithatë, Kuvendi ka thënë se kjo mbështetje nuk mund të cilësohet si miratim apo redaktim i narratives së paraqitur.

“Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm”, thuhet në sqarimin e Kuvendit që ka përsëritur se do t’i adresojë shqetësimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës.

Ekspozita është organizuar nga organizatat “Admovere” dhe “Integra”. Në “Admovere” kanë thënë se për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr prej Natasha Kandiq. Në libër, sipas organizatës, është përmendur se në këtë listë figurojnë të regjistruar si perona të armatosur edhe individë që në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar.

“Nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani, në këtë ekspozitë janë përfshirë 49 masakra për të cilat kemi siguruar fotografi dhe citate të dëshmitarëve. Të 105 masakrat janë të përfshira në librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’ dhe do të përfshihen edhe në webfaqen ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, që do të lansohet së shpejti. Ekspozita bazohet në plotni në librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, të botuar në vitin 2024 nga ADMOVERE dhe INTEGRA. Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga ‘Libër Kujtimi i Kosovës’ i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić. Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar”, thuhet në reagim.

Në këtë njoftim të organizatës thuhet se kjo listë “mbetet edhe sot burimi i vetëm dhe më i besueshëm për dokumentimin e të vrarëve, duke qenë se institucionet e Kosovës ende nuk kanë hartuar një listë zyrtare të të vrarëve”.

Organizatat “Admovere” dhe “Integra” në fund kanë bërë thirrje që institucionet të hartojnë më shpejt një listë të të vrarëve “në mënyrë që të shmangen keqkuptimet eventuale”.

E pasi komuna tërhoqi lejen e ekspozitës, autori i ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Shkëlzen Gashi, ka fajësuar shtetin për mungesë të një liste të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit, teksa ka përsëritur se të dhënat që i ka publikuar në ekspozitë janë marrë nga një listë e organizatës joqeveritare “Humanitarian Law Center (HLC)”, e udhëhequr nga Natasha Kandiq.

Ai nuk ka komentuar çështjen se përse ka shpërndarë të dhëna të pasakta.

“Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999. Lista e vetme që kemi deri më tani është lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Nataša Kandić, të cilën Kryetari i Komunës së Prishtinës ia ka dhënë çelësin e Prishtinës. Ne e kemi cituar këtë listë të Nataša Kandić-it sepse nuk kemi listë tjetër të të gjithë të vrarëve gjatë luftës në Kosovë. Sipas kësaj liste në Burgun e Dubravës janë vra gjithsej 106 veta. Prej tyre, 58 figurojnë civilë e 48 figurojnë persona të armatosur. Si është e mundur që në Burg të Dubravës 48 prej civilëve të vrarë të figurojnë si pjesëtarë të armatosur? Pse janë regjistruar këta si persona të armatosur? Persona të armatosur në burg? Për më keq, kjo mospërputhje nuk është e vetmja. Njëjtë ka ndodhur edhe në Masakrën e Mejës, ku numri i të vrarëve është 376 veta, por në listën e HLC-së figurojnë 349 civilë të vrarë, kurse 27 të vrarë figurojnë si të armatosur. Dihet botërisht që në Reçak forcat policore e ushtarake sërbe jugosllave kanë vrarë 45 civilë të pafajshëm shqiptarë, por në listën e të vrarëve të HLC-së së Nataša Kandić-it janë regjistruar 37 civilë shqiptarë e 8 janë regjistruar të armatosur. Mospërputhje të ngjashme vërehen edhe në masakra tjera: Kotlinë, Kaçanik, e të tjera”, ka shkruar Gashi.

Gashi tutje ka thënë se organizatat publikuese s’kanë obligim të verifikojnë statusin e secilës viktimë. Megjithatë, Gashi në libër ishte nënshkruar edhe si hulumtues.

“Theksojmë se verifikimi i njëpërnjëshëm i statusit të secilës viktimë dhe i numrit të saktë të civilëve të vrarë nuk ka qenë dhe nuk është përgjegjësi e organizatave tona. Këto të dhëna janë marrë nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center, i cili i ka mbledhur ato përmes hulumtimeve në terren. Për rrjedhojë, u takon institucioneve të Kosovës që të hartojnë një listë zyrtare, të saktë dhe gjithëpërfshirëse të viktimave të luftës. ADMOVERE dhe INTEGRA njoftojnë opinionin publik se ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” është realizuar dhe vendosur në hapësirën publike me leje nga Komuna e Prishtinës, e cila ka të drejtë ta revokojë atë. Megjithatë, përgjegjësia për mungesën e një liste zyrtare dhe të saktë të viktimave të luftës në Kosovë u takon institucioneve të Kosovës, të cilat do të duhej prej kohësh të kishin përditësuar këtë listë të vetme ekzistuese, të hartuar nga organizata e Nataša Kandić-it dhe të kishin hartuar një listë zyrtare shtetërore”, ka shtuar ai.

Gashi po ashtu ka thënë se as donatorët nuk kanë pasur rol në përmbajtjen e ekspozitës.

Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është botuar në hiç më pak se 2000 kopje.

Të ngjashme