AKB: Diskriminim i hapur, paga e 13-të vetëm për sektorin publik është e papranueshme

Prishtinë | 01 Pri 2026 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagës së 13-të vetëm për sektorin publik e konsideron si diskriminues dhe të padrejtë ndaj sektorit privat.

Sipas tij ky vendim krijon ndarje të rrezikshme në shoqëri, duke favorizuar një kategori në kurriz të tjetrës, ndonëse të gjithë qytetarët dhe bizneset kontribuojnë në mbushjen e buxhetit të shtetit.

“Sektori privat, i cili është bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik, punëson shumicën e qytetarëve dhe siguron të hyrat kryesore për shtetin, po injorohet në mënyrë të pajustifikueshme. AKB vlerëson se paga e 13-të për sektorin publik nuk është meritë, por një shpërblim selektiv dhe politik, i cili cenon parimet e barazisë dhe konkurrencës së ndershme”, ka thënë Shahini.

Shahini, kërkon nga qeveria të ndalë këtë qasje siç thotë ai diskriminuese ndaj sektorit privat, të subvencionojë edhe punëtorët e sektorit privat dhe kategoritë sociale dhe të garantojë barazi për të gjithë kontribuuesit.

Në të kundërtën, sipas tij, vendime të tilla do të dëmtojnë seriozisht klimën e biznesit dhe besimin në institucionet shtetërore.

Të ngjashme