(Java e moralit publik – I.)
…
1. Tregu i Lirë i Dashurisë
Një mëngjes në Fermë,
kafshët u zgjuan me një lajm të madh:
çmimet kishin hipur aq lart,
sa edhe buka kishte nisur të sillej e pavarur nga mielli,
si pronare e furrës me menu pa çmime.
Vezët ishin bërë arrogante.
Qumështi kishte hyrë në fazë elitare.
Mishi fliste me theks të huaj.
Domatja të shikonte me përbuzje.
Vaji s’ishte më ushqim –
ishte investim afatmesëm.
Dhe Ferma, si zakonisht,
po vdiste nga varfëria me çmime evropiane
dhe me paga që ende kullosnin në Ballkan.
Sepse, në Fermën e Kosovës, jo veç pasuria, por edhe varfëria ndahet barabar.
…
2. U Shfaq Krijesa pa emër
Kur panë se çmimet po silleshin
si ministra pa mbikëqyrje,
kafshët kërkuan ndihmë.
Atëherë,
nga mesi i oborrit,
me trajtë të papërcaktuar,
me hap protokollar
dhe me një vetëbesim
që nuk prodhon efekt juridik,
u shfaq Krijesa pa emër.
Krijesa ndaloi.
Shikoi Fermën.
Dhe tha:
“Mos u shqetësoni.
Çdo gjë ka çmim.
Edhe dashuria.”
Kafshët u qetësuan për një çast.
Sepse në këtë Fermë,
sa herë dikush flet me ton të sigurt,
dikush tjetër mbetet pa bukë.
…
3. Eksperti i Çmimeve Tavan
Krijesa pa emër njoftoi
se do ta merrte përsipër
rregullimin e tregut.
“Do të vendosim rend.
Do të vendosim kufi.
Do të vendosim tavan.”
Kafshët u habitën.
“Pse pikërisht Krijesa pa emër?”
pyeti Dhelpra.
Këtë herë, as Gomari
nuk pati përgjigje.
Ra heshtja.
Pulave u ra kafshata nga sqepi.
Lopët pushuan së përtypuri.
Derri qeshi pa edukatë.
Ndërsa Kali, si gjithmonë,
u shtir sikur nuk kishte dëgjuar asgjë.
Sepse, në Fermën e Kosovës,
edhe skandali bëhet i pranueshëm
kur debatohet për ushqimin.
…
4. Ligji i Madh për Çmimet
Të nesërmen,
Krijesa pa emër doli para Fermës
me një tabelë të madhe në duar.
Mbi të shkruante:
• Veza: me leje
• Vaji: me autorizim
• Buka: me vëzhgim
• Qumështi: nën mbikëqyrje të rreptë institucionale
• Mishi: me rekomandim verbal
• Dashuria: sipas marrëveshjes paraprake, por jo domosdoshmërisht me pagesë të plotë
Kafshët mbetën pa frymë.
Kjo ishte hera e parë në historinë e Fermës
që buka dhe dashuria
trajtoheshin
me të njëjtin mekanizëm rregullator.
Dhe, si gjithmonë,
kur shteti nuk mund ta ulë çmimin e bukës,
përpiqet ta kontrollojë dashurinë.
Sepse, në Fermë,
më mirë vdesin nga uria
se sa nga dashuria.
…
5. U Ankua Opozita
Por sapo Krijesa pa emër nisi
të vendoste tavane mbi djathin, vajin dhe flirtin,
erdhi Kopeja e Opozitës
dhe e çoi çështjen
në Stallën Kushtetuese.
Atje,
Bufi i Kushtetutës,
i cili flinte njëmbëdhjetë muaj në vit
dhe zgjohej vetëm
nëse i dilte gjumi,
e pa ligjin,
i fshiu syzet,
dhe tha:
“Kthejeni mbrapsht.
Nuk mund ta rregulloni tregun
me moral selektiv
dhe përvojë sentimentale.”
Pastaj shtoi,
me zërin e atyre
që zakonisht flasin vonë,
por me ton përfundimtar:
“Çmimi i bukës s’vendoset me trajta të paqarta.
E as morali publik
s’matet me faturë të papaguar.”
Kafshët duartrokitën.
Jo pse e kuptuan ligjin.
Por sepse e kuptuan aludimin.
Sepse, në Fermë,
ligji kalon.
Kunji mbetet.
…
6. Çmimet mbetën lart. Pretendimet – edhe më lart.
Dhe kështu,
në Fermë mbeti gjithçka si më parë:
• buka me çmim evropian
• qumështi me krenari zvicerane
• domatja me ego skandinave
• vaji me ambicie spekulative
• paga me shpirt provincial
• dhe qeveria…
…duke u marrë me çmimet
siç merret Krijesa pa emër
me moralin e tregtarëve.
Sepse në Fermë je i detyruar të besosh se
dështimi s’është fund.
Është vetëm përpjekje e dështuar.
…
7. Tregu, Morali dhe Çmimi i Njeriut
Pas gjithë kësaj,
çmimet nuk ranë.
As buka.
As vaji.
As djathi.
As dashuria.
Ra vetëm iluzioni
se dikush po merrej me to seriozisht.
Dhe Ferma e kuptoi,
edhe një herë,
se këtu s’rregullohet as tregu,
as drejtësia,
as morali.
Atëherë,
Pula, e ndukur,
e mori fjalën
me theks gjakovar:
“Këtu,
edhe rushi kushton më shtrenjtë se në Evropë.”
Bëri një pauzë.
I hoqi gjyslykët.
Pastaj shtoi:
“Përveç njeriut.”
Ai ende blihet lirë:
• me premtime
• me propagandë
• me patriotizëm sezonal
• me konferenca të zhurmshme
• me moral të përkohshëm
• dhe me ligje që shkojnë në Kushtetuese
vetëm sa për të bërë një xhiro institucionale
Sepse, në këtë Fermë,
çmimi më i ulët në treg
është dinjiteti i qytetarit.
Natyrisht,
edhe i katundarit.
…
8. Çmimet rrezikojnë ta ulin nivelin e bukurisë kombëtare
Dhelpra,
si përfaqësuese e shqetësimeve të elitës,
e mori fjalën me alarm të kontrolluar.
Ajo tha se rritja e çmimeve
nuk po godiste vetëm bukën,
vajin dhe mishin.
Po godiste edhe
shtresat më të ndjeshme të estetikës publike.
Sipas saj,
thikat, gjilpërat
dhe ndërhyrjet e domosdoshme për vetëbesim
po bëheshin çdo ditë e më të papërballueshme.
Dhe paralajmëroi,
me seriozitetin e atyre
që e kuptojnë fundin e qytetërimit
si fund të filtrit:
“Nëse vazhdon kjo ngritje e çmimeve,
deri në nëntor të këtij viti,
në Fermë
askush më
nuk do të duket bukur.”
Për herë të parë atë ditë,
kafshët u frikësuan vërtet.
Sepse, në Fermë,
duhet të dukesh bukur
edhe pas bukës.
Veç në gjumë
lejohet të jesh vetvetja.
Natyrisht,
nëse fle pa dëshmitarë.
…
9. Veta e Katërt, në agjërim
Dhe kështu,
Krijesa pa emër doli përsëri para Fermës,
e ngriti qafën
dhe foli për drejtësi ekonomike
me zërin e atij
që sonte ka fasule për darkë.
Kafshët e panë.
Disa qeshën.
Disa heshtën.
Disa u shtirën sikur nuk e kuptuan.
Sepse, në Fermë,
mbretëron një rregull i pashkruar:
Kënga më e bukur këndohet para buke.
Pasi që buka u bë luks,
shteti e gjeti
një kafshë të uritur
për ta shpallur reformën.
…
P.S. I love you.
…
AUTOKRITIKË
Eh,
ti,
sot…
Sot,
e mbylle edhe portën e vetme
që ende rrinte hapur:
atë të pritjes,
të shpresës
dhe të marrëzisë.
…
EPILOG:
Nëse nuk mungojnë përqafimet –
vazhdon:
Ferma e Kosovës II: Tregu i Zi i Dashurisë.