Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se institucionet e vendit nuk do të lejojnë që dhimbja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës të mbetet e heshtur dhe e padukshme.
Në një tryezë të organizuar me rastin e 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Kurti theksoi rëndësinë e kujtesës dhe përgjegjësisë institucionale.
“Më 14 prill, ne nderojmë të gjitha ato gra dhe burra që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, një nga plagët më të rënda dhe më të heshtura të luftës”, u shpreh ai.
Kurti tha se për vite me radhë kjo dhimbje është mbajtur e fshehur për shkak të frikës dhe stigmatizimit, por shtoi se sot institucionet kanë obligim moral dhe institucional që ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet.
“Sot, si institucione të Republikës së Kosovës, e ritheksojmë se nuk do të lejojmë që kjo dhimbje të mbetet e padukshme”, deklaroi Kurti.
Ai vuri në pah rolin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës, duke theksuar se ky mekanizëm synon që çdo i mbijetuar të njihet dhe të trajtohet me dinjitet.
Sipas tij, deri më tani janë njohur 1,925 raste, por shumë të mbijetuar vazhdojnë të jetojnë në heshtje për shkak të stigmatizimit.
“Ende hezitojnë të kërkojnë atë që u takon: drejtësi, njohje dhe mbështetje”, tha ai.
Kryeministri theksoi se mbështetja ndaj të mbijetuarve është obligim i përbashkët dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.
“Rrëfimet e të mbijetuarave dhe të mbijetuarve dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore”, u shpreh Kurti.
Ai po ashtu njoftoi se për herë të parë pas luftës është miratuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, ndërsa po vazhdon dokumentimi i krimeve të luftës dhe mbështetja për të mbijetuarit përmes organizatave të autorizuara.
Kurti bëri thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e besimit, duke theksuar se drejtësia dhe barazia mbeten synime të përbashkëta.
“Jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën e drejtësisë dhe barazisë”, shtoi ai.