Petrit Ajeti prapë në krye të AKI-së, Haxhiu: Ky vendim pasqyron forcimin e institucioneve tona të sigurisë

Prishtinë | 14 Pri 2026 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kanë nënshkruar sot vendimin për vazhdimin e mandatit të z. Petrit Ajeti në detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), për një mandat të ri pesëvjeçar.

“Ky vendim pasqyron vlerësimin institucional për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e deritanishme të z. Ajeti në udhëheqjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, si dhe besimin në vazhdimësinë e lidershipit të tij në forcimin e kapaciteteve të inteligjencës dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin për media.

Në njoftim thuhej se Ajeti ka mbi 20 vite përvojë pune në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa pesë vitet e fundit ka udhëhequr Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë

“Z. Ajeti ka mbi 20 vjet përvojë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa pesë vitet e fundit ka udhëhequr Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Përvoja e tij profesionale përfshin funksione të larta në sektorin e sigurisë, me kontribut të vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës.Ai ka përfunduar studimet në Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, si dhe studimet master në Universitetin Metropolitan të Londrës. Po ashtu, ka ndjekur programe të shumta të zhvillimit profesional në fushën e sigurisë në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhej në njoftim.

Të ngjashme