Ministri Nufi: Shqipëria qëndron krahë për krahë Kosovës që nga pavarësia

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi në anën tjetër tha se Shqipëria qëndron krahë për krahë Kosovës që nga pavarësia. Nufi tha se bashkëpunimi ndër shtetëror është i domosdoshëm për ngritjen e kapaciteteve dhe garantimin e sigurisë, raporton Ekonomia Online.

“Republika e Shqipërisë qëndron krahë për krahë me Kosovën në gjithë udhëtimin dhe rrugëtimin e saj që nga çlirimi, pavarësia dhe sot thellimi i institucioneve demokratike në Republikën e Kosovës, ngritja e bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar, forcimi i institucioneve të saj, forcimi i një republike demokratike me një prirje perëndimore të qartë. Bashkëpunimi midis dy shteteve nuk mund të ishte më i mirë dhe më i fortë sot. Diskutuam me kolegun sot për bashkëpunimin që kemi, për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e në veçanti edhe në atë të industrisë ushtarake që na përket të dyja palëve”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për vizitat që ka zhvilluar në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte por edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Vaco Dragone.

“Shqipëria ka ngritur shqetësimin e përgjithshëm të sigurisë në rajon, veçanërisht sigurisë në Kosovë, kemi shpreh shqetësimet tona në raport me situatën e sigurisë dhe kemi theksuar situatën e sigurisë në Kosovë se është situatë drejtpërdrejtë edhe e sigurisë në Shqipëri dhe çdo zhvillim dhe implikim i mundshëm në Kosovë na sjellë edhe shqetësim në Republikën e Shqipërisë sa i përket sigurisë…nuk ka ndonjë ndryshim të paktën deri më sot të planeve të sigurisë të KFOR-it, për sa i përket angazhimeve të KFOR-it në Republikën e Kosovës, besoj që të gjitha shqetësimet e tjera do të adresohen në kuadër të bashkëpunimit që ne kemi si aleancë. Besoj që situate e sigurisë në Kosovë për sa kohë ne i bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë si në Kosovë por edhe në kuadër të aleancës vazhdojnë të jenë të qëndrueshme”, ka shtuar ai.

Të ngjashme