Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka listuar disa prej vërejtjeve që ka për projektligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, raporton Ekonomia Online.
Gruda ka thënë se gabimi i parë ka qenë fakti që s’ka pasur konsultim publik. Ai ka thënë se i ka propozuar ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, që të ketë një konsultim publik legjislativ në mes të leximit të dytë dhe të tretë.
“S’ka pasur konsultim publik, duhej të vihej në konsultim publik para miratimit në Qeveri. Një ligj kaq i ndjeshëm duhet t’i nënshtrohet një debati nga profesionistët. Duhej t’i jepej mundësi secilit qytetar që të japë mendimin për këtë ligj. Është standard që kërkohet. Ka qenë një lëshim që s’do të duhej të ndodhte. Mund të organizojmë mes dy leximeve, konsultim publik për legjislacion, ia kam propozuar edhe ministres. Mendoj se është rruga se si ta bëjmë ligjin në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, lënia e disa çështjeve për t’u rregulluar me akte nën-ligjore është përsëri problematike, meqë Kushtetuesja ka sqaruar se gjithçka duhet të rregullohet me Ligj.
“Vërejtja e dytë. Kushtetuesja ka bërë vërejtje për ligjin se asgjë s’mund të rregullohet me akte nën-ligjore, por me ligj. Ajo dispozitë që i është lënë drejtorit për veprime me disa akte-nënligjore duhet të fshihet…..Mungesa e mekanizmit për kompensim efikas. Ky mekanizëm e bën byronë më efikase, për të mos u marrë me çfarëdo rasti”, ka thënë ai tutje.
Gruda ka thënë se Projektligji ka edhe probleme në mënyrën se si është shkruar, duke thënë se s’është shkruar me gjuhë juridike.
“Ligji s’është shkruar në gjuhë juridike”, ka thënë Gruda tutje.
Ai ka kritikuar edhe emrin e Projektligjit, duke thënë se në përmbajtje nuk pasqyrohet, meqë Byroja nuk konfiskon pasuri, por Gjykata.
”Byroja nuk konfiskon pasuri. Titulli i Ligjit nuk e reflekton përmbajtjen e Ligjit. Gjykata vendos për konfiskimin”, ka thënë Gruda.
