AKB dhe Rrjeti Global i Bizneseve nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), në bashkëpunim me Rrjetin Global të Bizneseve të Diasporës, sot kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të fuqizimit të lidhjeve ekonomike ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre në diasporë.

Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni solemne nga Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, dhe Kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës, Omer Nura.

Kjo marrëveshje synon thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ekonomike, përfshirë promovimin e investimeve, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Po ashtu, ajo parasheh mbështetje të ndërsjellë për bizneset në zgjerimin e aktiviteteve të tyre në tregjet ndërkombëtare.

Me këtë rast, Kryetari i AKB-së, Shahini, theksoi se kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm drejt internacionalizimit të bizneseve kosovare dhe shfrytëzimit më të madh të potencialit të diasporës.

Prandaj ky memorandum është një arritje për të dy institucionet tona që bizneset tona shqiptare në anembanë botën të lidhen për të bashkëpunuar, për të investuar, për të rritur mundësinë dhe kapitalin në projekte të ndryshme që mund t’i bëjmë bashkarisht.

“Ekonomia e Kosovës është një ekonomi që mund të ketë perspektivë të madhe duke e mbështetur ju, ashtu siç e mbështetni me investimet tuaja. Dhe sipas statistikave, mbi 1 miliard e 200 milionë euro diaspora dërgon para të gatshme përmes institucioneve mikrofinanciare dhe financiare, kurse sipas statistikave të ATK-së, diaspora shqiptare dërgon dërgesa mbi 2.5 miliardë euro në Kosovë gjatë vitit. Ju jeni infuzion i mirë i ekonomisë dhe i ruajtjes të rinisë për të mos ikur nga vendi i tyre. Kosova po ballafaqohet tashmë edhe me një fenomen të ri: ikjes së kapitalit. Në vitin e kaluar, stoku i investimeve të kosovarëve në Shqipëri ka shkuar mbi 700 milionë euro, në Greqi mbi 100 milionë euro, 200 milionë euro po ashtu në Mal të Zi, në Maqedoni kemi informata rreth 200 dhe në pjesën tjetër të Evropës”, tha Shahini.

Ndërsa, Nura u shpreh se rrjeti që ai përfaqëson do të angazhohet fuqishëm për të lidhur bizneset e diasporës me ato në Kosovë, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik.

Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare  mbeten të  përkushtuar në avancimin e interesave të bizneseve dhe në krijimin e partneriteteve strategjike që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Të ngjashme