Gërvalla: Projektligji e përcakton qartë procedurën si bëhet konfiskimi

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në Kuvend ka paraqitur projektligjin për Byronë Shtetërorë për Konfiskim të Pasurisë së pajustifikueshme raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se ligji e ka përcaktuar në mënyrë të qartë procedurën se si bëhet konfiskimi.

“Është një shpjegim i vogël rreth asaj që përshtypja që më u krijua atë ditë në kuvend, në komision, rreth përmbajtjes së ligjit, shpjegimeve të dhëna dhe debatit shumë konstruktiv që patëm, u manifestua megjithatë me votë kundër, por deputeti ka të drejtën e tij të votojë për apo kundër si ai e gjykon të drejtë. Kam një sqarim që më duket që është me rëndësi të zgjatem pak më shumë rreth faktit që a përcakton ligji gjithçka apo janë aktet nënligjore ato të cilat ia mundësojnë byrosë të ndërmarrë hapa të ndryshëm. Dhe aty e kam shumë të nevojshme që ligji ka përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të plotë të gjithë procedurën e konfiskimit që nga inicimi i procedurës, mbledhja dhe verifikimi i informatave deri te procedimi i çështjes në gjykatë dhe vendimi përfundimtar. Të gjitha elementet që prekin të drejtat dhe detyrimet e palëve, pra standardi i provës, rrjedha e procedurës, afatet dhe mjetet juridike, të gjitha janë të rregulluara drejtpërdrejt me ligj dhe në këtë kuptim asnjë aspekt procedural nuk ka mbetur i pambuluar. Ajo që mbetet për t’u rregulluar me akt nënligjor lidhet vetëm me aspektet e brendshme organizative të byrosë në zbatim të procedurës së verifikimit. Pra këtu përfshihen çështje si pranimi i shkresave, regjistrimi i rasteve, ndarja e lëndëve, komunikimi i brendshëm dhe me palët, administrimi i dokumentacionit, arkivimi dhe të dhëna teknike të punës. Por nëse kjo temë është shqetësim kryesor, atëherë shumë do të doja ta shfrytëzoja rastin edhe të japim sqarime gjithkujt që ka nevojë sepse kjo pikë është shumë e rëndësishme të sqarohet dhe të mos kemi dilema rreth saj. Sa i përket kompensimit edhe në komision e diskutuam, mendoj që është rregulluar mjaftueshëm me legjislacionin në Republikën e Kosovës se si bëhet kompensimi i të gjithë atyre personave të cilëve pa të drejtë u janë shkelur të drejtat e tyre. Ashtu çështja që mund të ketë gabime teknike përgjatë tekstit të ligjit, të cilat natyrisht që janë të padëshiruara, shpresoj që edhe kjo do të jetë një prej pikave të cilat do t’i diskutojmë edhe t’i përmirësojmë aty ku do të ketë nevojë për përmirësim. Sa i përket çështjes që u përmend shqetësimi i familjarëve të atyre që do të jenë objekt i trajtimit nga byroja”, tha Gërvalla.

Ajo iu përgjigj edhe deputetit të AAK-së, Bekë Berisha i cili tha se ky ligj nuk do t’ia konfiskojë askujt pasurinë,

“Së pari nuk kemi të bëjmë me njerëz që duhet të japin llogari për çdo cent, por shpërputhja duhet të jetë 25,000 euro e më tepër, e para. Por e dyta, e dyta nuk kemi asnjë gatishmëri për të gjetur asnjë arsye as familjare, as shoqërore, as profesionale, as shëndetësore, as morale, për të amnistuar ata të cilët pasurinë e kanë krijuar në kurriz të taksapaguesve. Pavarësia e byrosë është një element shumë i rëndësishëm, prandaj ia vlen jo vetëm gjatë miratimit të ligjit, por edhe pas saj të jemi tepër të kujdesshëm dhe të respektojmë në maksimum pavarësinë e byrosë, e cila jo pa qëllim i jep llogari kuvendit dhe jo ekzekutivit. Nuk duam të krijojmë përshtypjen e luftimit të korrupsionit, por duam ashtu siç jemi zotuar ta luftojmë. Llogaridhënia është elementi që qëndron në bazë, në themel të këtij ligji. Institucion paralel nuk krijohet sepse nuk kemi asnjë institucion i cili e rregullon konfiskimin civil, pra është një institut krejt i ri i të drejtës civile dhe jemi të hapur jo vetëm për konsultim por edhe për amendamente të vlefshme për leximin e dytë nga opozita. Ndërsa deputetit i cili diku bënte shaka e dikur kërcënonte dhe pretendonte që nuk do t’i konfiskohet pasuria askujt, i dërgoj të fala dhe i them deputet ku e ke sot selinë e partisë tënde? Aty ku e ke pas apo diku tjetër”, tha Gërvalla.

Të ngjashme