Doarsa Kica Xhelili ka thënë se votimi i projektligjeve kanë qëllim të vetëm, të përdoret si fushatë elektorale nga LVV, raporton Ekonomia Online.
Ajo kritikoi grupin parlamentar të LVV-së duke thënë se po mundohen të flasin mbi të.
“Sikur ta dija, e përmbusha fjalimin tim me atë që sot determinohet qëllimi real i Lëvizjes Vetëvendosje me këtë projektligj. Dhe m’u shmang kjo dukje që qëllimi janë zgjedhjet. Përndryshe, nuk kam si ta shpjegoj që një ligj aq vital, që vetë po thoni që është vital, të ketë nevojë për shmangie. Sot edhe ministrja aty u thoshte që jemi të hapur për diskutime. Për cilat diskutime? Për dy ligje në fuqi? Paj, hajgare të paktën bëni, pranojeni që e paskeni sjellë këtë projektligj për zgjedhje, për propagandë elektorale. Përndryshe hajgare po bëni me këtë popull. Tregoni sinqerisht cili është qëllimi juaj, ndonëse mendohet shumë qartë. Por tash sinqerisht këtë herë pyes ministrin, sepse thonë jemi të gatshëm, ishin në komision, ishin të hapur për diskutim dhe do të jenë sërish. Po ne po dëgjojmë ministren në këtë parlament, konsideron që nuk janë autoritet mbi projektligjet që sjell. Unë e kuptoj se mund të mos kem besim tek ju si autoritete të veçanta, po megjithatë keni një farë roli të paktën nëse doni të jeni ministra siç jeni, apo jo? Prandaj edhe njëherë po e përsëris, cila është përgjigja juaj në pyetjen që e shtrova: A na treguat se si qenka plotësisht legjitime të kërkohet nga anëtarësia 100 euro në muaj të verifikohen? Sapo u sqarua, për më tepër po dëgjojmë nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje që po provojnë të na thonë diçka tjetër duke mos na dëgjuar. Prandaj kërkoj nga ky grup parlamentar ta marrë një evidencë të të gjithë personave zyrtarë në Republikën e Kosovës nga viti 2008 e tutje dhe të shohim se sa anëtarë të ngushtë i kanë pasur jashtë vendit, shumë e thjeshtë është kjo. Dhe do të shikojmë sa do të na dalin për 100 euro në muaj. Përveç kësaj, e dukshme është se ata shpirtmëdhenj për të cilët është synuar byroja, i keni brenda jush. Dhe për t’i hedhur hi syve qytetarëve të Republikës së Kosovës, dëshironi t’i manipuloni me këto projektligje që do të jenë të pazbatueshme, sepse e dini shumë mirë që edhe në qoftë se nuk shkojnë në Gjykatën Kushtetuese nga ky kuvend, ka me shku secili rast kur ju t’i filloni procedurat tuaja. Sikur ta paskeni seriozisht, sepse është e pamundur të bindesh që jeni seriozisht, se me një ligj me të cilin moralizoni çdo ditë, çdo ditë nuk ka ditë që nuk flisni se si e ka luajtur apo si ka qenë korrupsioni, dhe vini këtu me radhë me na tregu se si ju jeni për luftën kundër korrupsionit, por ju mungojnë dy ligje shtesë për ta rregulluar ligjin. Një ligj që prek të drejtat e njeriut, një ligj që prek të drejtën e privatësisë, një ligj që ta ka rrëzu Gjykata Kushtetuese. Cila është pika? Zgjedhjet”, tha Kica Xhelili.