Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njëherit nënkryetar i komisioni për Siguri, Fadil Hadergjonaj ka mbështetur vendimin për dislokimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se FSK-ja ka dëshmuar veten profesionalisht në arenën ndërkombëtare ndër vite.
“Si një nga protagonistët e zhvillimeve që nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, deri në Forcën e Sigurisë së Kosovës, deri në pensionimin tim, asnjëherë as me mendje e as me zemër nuk kam pushuar së admiruari ushtrinë tonë. Ky admirim sot është edhe më i fortë sepse shohim një ushtri të ndërtuar mbi sakrificën, profesionalizmin dhe përkushtimin e palëkundur ndaj shtetit.
Sot, në cilësinë e deputetit dhe nënkryetarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, bashkëndjej krenarinë për arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës. FSK-ja ndër vite ka dëshmuar profesionalizëm të lartë, standarde të avancuara të NATO-s dhe performancë të shkëlqyer në të gjitha aktivitetet e saj, brenda dhe jashtë vendit, duke u bërë një partner i besueshëm për aleatët tanë strategjikë”, tha ai.
Ai tha se kjo nismë do t’i ndihmon FSK-së që ta përmbushë misionin.
“Rritja dhe zhvillimi i ushtrisë sonë ka kaluar nëpër disa faza të rëndësishme transformimi për të arritur sot në fazën finale të tranzicionit, e cila pritet të përmbyllet në vitin 2028. Ky proces do ta bëjë FSK-në plotësisht të aftë të përmbushë misionin dhe detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore: mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës, mbështetjen ushtarake autoriteteve civile, si dhe pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare dhe misione e operacione ndërkombëtare.
Pikërisht në këtë frymë, sot po vendosim për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në një mision ndërkombëtar në Lindjen e Mesme, përkatësisht në Gaza, si pjesë e një force stabilizuese ndërkombëtare me mandat mbështetjen e paqes dhe zbatimin e një plani gjithëpërfshirës për përfundimin e konfliktit. Ne besojmë fuqishëm se kontingjenti i FSK-së është i përgatitur profesionalisht, i trajnuar sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare dhe plotësisht i familiarizuar me kornizën ligjore dhe autoritetin që buron nga mekanizmat ndërkombëtarë të paqes”, thotë ai.
Hadergjonaj pati kërkesë nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga Qeveria.
“Megjithatë, njëkohësisht kërkojmë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbështetje të plotë për personelin tonë në aspektin administrativ, operacional, logjistik, shëndetësor dhe financiar, para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij misioni. Po ashtu kërkojmë përkushtim maksimal për kujdesin ndaj familjeve të pjesëtarëve të kontingjentit, sepse misionet ndërkombëtare nuk janë vetëm sfidë për ushtarakët tanë, por edhe për familjet e tyre që mbeten këtu”, tha Hadergjonaj.
