Kuka pas Evropianit: Një medalje e artë dhe paraqitje premtuese për Kosovën

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i ekipit të Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vlerësuar lart paraqitjen e ekipit në Tbilisi të Gjeorgjisë, duke theksuar vazhdimësinë e sukseseve të xhudos kosovare në arenën ndërkombëtare.

Kosova i ka përmbyllur garat në Kampionatin Evropian për të rritur në Tbilisi me një tjetër rezultat të rëndësishëm, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e lartë të këtij sporti në vend, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Kukës, Distria Krasniqi ka spikatur me performancën e saj, duke siguruar medaljen e artë të 11-të evropiane për Kosovën dhe duke vazhduar një traditë tashmë 14-vjeçare suksesi, me mbi 30 medalje të fituara në total.

Në këtë kampionat, ai tha se paraqitje shumë të mirë ka shënuar edhe Akil Gjakova, i cili regjistroi tri fitore dhe një humbje, duke qenë në garë për medalje dhe duke u renditur përfundimisht në vendin e pestë.

Ndërkohë, Dardan Cena dhe Fatjona Kasapi, trajneri Kuka tha se arritën deri në mesin e 16 më të mirëve, duke dëshmuar potencial dhe përkushtim, ndërsa Erza Muminoviq dhe Laura Fazliu u eliminuan në fazat e hershme, pavarësisht përgatitjeve të mira paraprake.

Në përfundim, Kuka theksoi se xhudo vazhdon të mbetet sporti më i suksesshëm olimpik për Kosovën, duke falënderuar të gjithë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe duke shprehur ngushëllime për familjet e prekura nga tragjedia në Malishevë.

“Përtej sportit, ne si ekip i shprehim ngushëllime familjes që humbi më të dashurit në tragjedinë në Malishevë”, shkroi Kuka, duke iu referuar rastit të djeshëm ku humbi jetën babai me dy fëmijë në një banesë në këtë qytet.

Të ngjashme