Kryeministri Albin Kurti është deklaruar për media pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se në takim ka propozuar që Abdixhiku të jetë zëvendësi i tij.
“Zëvendës i imi kam propozuar të jetë pikërisht Lumir Abdixhiku”, ka thënë ai.
“Unë edhe më tutje besoj se zgjedhjet nuk janë të nevojshme, dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për bashkëqeverisje”, ka thënë Kurti.
“Nëse nuk ndryshon diçka në ditët e mbetura mua më mbetet të konstatoj se ka më shumë dëshirë, vullnet, për zgjedhje të reja”, ka shtuar ai.
“Porsa e përfunduam një takim të radhës me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetin Lumir Abdixhiku, të cilin e falënderoj për bashkëpunimin, mirëpo në të njëjtën kohë më duhet të konstatoj që bisedimet rezultuan të pasuksesshme për shkak se asnjëra prej ofertave që ne kemi bërë nuk u pranua nga kreu i LDK-së.
Fillimisht, ne ofruam që Lidhja Demokratike e Kosovës në bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me partnerët e tjerë që i kemi ne në mazhorancën prej 66 deputetësh, ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Unë kam preferuar që zëvendësi im të bëhet pikërisht zotëri Abdixhiku dhe në këtë mënyrë të fillojmë një kapitull të ri të bashkëpunimit e bashkëveprimit midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ju e dini që edhe para një viti unë pata shkruar një letër kryetarit Abdixhiku: ‘më mirë ta bëjmë tash sesa më vonë koalicionin’. Nuk u bë as atëherë, as tash, dhe kjo është për të ardhur keq sepse në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja tërësisht të panevojshme, që i humbin kohë shtetit të Kosovës, por njëkohësisht edhe buxhetit të Kosovës mjete”, tha ai.
“Së paku 10 milionë euro kushtojnë zgjedhjet e reja, të cilat do të sjellin rezultate përafërsisht të përsëritura dhe të cilat nuk do të sjellin zgjidhje për shkak se sërish nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për të siguruar kuorumin në sallë. Unë edhe më tej besoj që zgjedhjet nuk janë të nevojshme dhe se është dashur të përpiqemi më shumë dhe sidomos nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për bashkëqeverisje.
Kur u refuzua oferta jonë për bashkëqeverisje, pra që Lidhja Demokratike e Kosovës ta ketë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri, nën shpjegimin që Vetëvendosja nuk duhet t’i ketë të tri pozitat e larta shtetërore, atëherë ne e bëmë një ofertë tjetër për Lidhjen Demokratike të Kosovës. E kjo është që pozita e kryetarit të Kuvendit edhe e nënkryetarit të Kuvendit të pësojnë një rokadë, ashtu që ose nënkryetari i LDK-së ose dikush tjetër për të cilin përcaktohet LDK-ja, zë pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërkaq kryetarja aktuale e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, do të bëhej nënkryetare e Kuvendit aty ku tash është pozita e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.
“Në këtë mënyrë, ne do ta kishim edhe më tej qeverinë, nuk do t’i kishim zgjedhjet e panevojshme, por përveç kësaj Lidhja Demokratike e Kosovës do ta kryesonte legjislativin, do ta kishte kryetarin e Kuvendit, ndërkohë që për kandidatin tonë, Glauk Konjufcën, ne nuk kemi kërkuar votë ‘për’ nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ata vetëm le të votojnë si të duan, pra: abstenim, kundër, edhe për, por le të votojnë. Sepse konsiderojmë që qasje shtetformuese, shtetndërtuese, progresive është ajo në të cilën deputetët, si të zgjedhurit e popullit, e marrin të drejtën e tyre edhe si detyrim, si llogaridhënie, si përgjegjësi ndaj atyre që i përfaqësojnë, por njëkohësisht edhe për funksionimin sa më të mbarë e të mirë të shtetit tonë dhe të sistemit të tërësisë së institucioneve të Republikës sonë demokratike e parlamentare.
Por as kjo nuk u pranua”,
“Pra, ishte një mundësi që të mos thuhet se të tri kandidatët vijnë nga subjekti Vetëvendosje, edhe pse qartazi, në rast të zgjedhjes së kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, në atë rast i zgjedhuri nuk do të ishte edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Por megjithatë, natyrisht që do të vinte nga subjekti Vetëvendosje dhe në fund do ta kishim një president i cili ka pushuar së qeni anëtar i Vetëvendosjes, kryetari i Kuvendit do të ishte nga LDK-ja dhe ne do të vazhdonim punën tonë si qeveri. Meqenëse nuk u pranua bashkëqeverisja e insistohej që Vetëvendosja të mos i ketë të tri funksionet, tash nuk kemi se çfarë ofertash të tjera të bëjmë më, në ndërkohë që as nuk u kërkua diçka tjetër prej nesh”,
“Dhe përveç kësaj, subjekti Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë, ose si mazhorancë që jemi me 66 deputetë, ne jemi të vetmit që kemi sjellë emra. Ju e dini që ka qenë edhe emri i Andin Hotit; në këto takime që kam zhvilluar unë, dy takime me kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën dhe shumë më tepër takime me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun, vetëm unë, vetëm Lëvizja Vetëvendosje është ajo e cila flet me emra të përveçëm. Të tjerët nuk po flasin me emra të përveçëm”, tha ai.
“Kam përshtypjen që shumë më tepër është folur për emra të përveçëm në vitin e kaluar kur bëhej fjalë për kryetarin e Kuvendit, sesa tash për presidentin, ndërkohë që pikërisht emri i përveçëm i presidentit e bën situatën singulare sepse aty është shumë e rëndësishme kush është emri dhe mbiemri që propozohet dhe do të zgjidhet. Pra, edhe një herë po them, në këto takime të cilat i kemi mbajtur nuk kemi pasur kërkesa, nuk kemi pasur oferta dhe nuk kemi pasur propozime me emra të përveçëm. Që të gjitha këto i ka thënë vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Nëse nuk ndryshon diçka në këto ditë të mbetura, atëherë thjesht mua më mbetet të konstatoj që ka më shumë dëshirë, vullnet, interesim për zgjedhje të reja sesa që kjo prezantohet”, tha ai.

