Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka vlerësuar jetën dhe veprën e akademikut Rexhep Qosja, duke theksuar kontributin e Qosjes në zhvillimin e mendimit letrar dhe studimeve albanologjike, duke e cilësuar si një ndër figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare, raporton Ekonomia Online.
“Jemi mbledhur për të nderuar jetën dhe veprën e akademikut Rexhep Qosja, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit, letërsisë dhe kritikës shqiptare. Akademik Qosja ishte një intelektual, studiues i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm në debatin publik shqiptar për më shumë se gjysmë shekulli. Ai ishte ndër të parët doktorë të shkencave filologjike në Kosovë dhe një nga kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e studimeve albanologjike në vendin tonë. Si profesor i Universitetit të Prishtinës dhe drejtues i Institutit Albanologjik, ai la gjurmë të pashlyeshme në formimin e brezave të tërë studiuesish e studentësh. Veprat e tij shkencore e letrare, me dhjetëra libra e vepra në fusha të ndryshme, nga historia e letërsisë te kritika dhe romani, përbëjnë një trashëgimi të çmuar për kulturën shqiptare. Veprat e tij dhe studimet mbi letërsinë shqiptare e vendosën atë në mesin e figurave kyçe të mendimit letrar shqiptar, ndërsa veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë dhe u bënë pjesë e debatit ndërkombëtar kulturor. Akademik Qosja ishte studiues dhe një mendimtar kritik që e shihte letërsinë si pasqyrë të shoqërisë, historisë dhe identitetit”, tha ajo.
