Dy kandidatët për kryesues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nuk kanë marrë votat e mjaftueshme në raundin e parë, që njëri nga ta të zgjidhet kryesues i KGJK-së, raporton Ekonomia Online.
5 vota ka marrë Rrustem Thaçi dhe 5 Besnik Bislimaj, ndërsa një votë është shpallur e pavlefshme.
Tani po vazhdohet me raundin e dytë të votimit.
Para votimit, të dy kandidatët kanë prezantuar vizionin e tyre për drejtimin e KGJK-së.
Besnik Bislimaj, tha se institucioni i KGJK-së, nuk është vetëm organ administrativ, por garantuesi kryesor i pavarësisë, integritetit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor.
“Sistemi gjyqësor nuk është vetëm një strukturë institucionale që zbaton ligjin. Ai është garancia kryesore e drejtësisë në një shoqëri demokratike. Nëpërmjet gjykatave realizohet mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, ruhet rendi juridik dhe sigurohet që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.
Në një shtet demokratik, forca e institucioneve nuk matet vetëm me ligjet që ekzistojnë, por me besimin që qytetarët kanë në drejtësinë e tyre. Prandaj, detyra jonë si bartës të funksioneve të sistemit gjyqësor është të ndërtojmë një sistem që jo vetëm funksionon, por edhe gëzon besimin e publikut. Në realitetin tonë, sfida më e madhe nuk është vetëm ndërtimi i institucioneve, por forcimi i besimit të qytetarëve në to. Dhe ky besim nuk ndërtohet me deklarata, ai ndërtohet me vendime të drejta, me integritet dhe përgjegjësi. Sot qytetarët presin më shumë nga ne. Ata presin drejtësi të shpejtë, drejtësi të paanshme, drejtësi që nuk ndikohet nga askush.
Në këtë kontekst, roli i Këshillit Gjyqësor të Kosovës është vendimtar. Ky institucion nuk është vetëm organ administrativ. Ai është garantuesi kryesor i pavarësisë, integritetit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor. Nëse më jepet besimi për të udhëhequr këtë institucion, vizioni im është i qartë: ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, profesional, transparent dhe efikas, i cili garanton drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët“, tha ai.
Kurse, Rrustem Thaçi tha se vizioni i tij ka të bëjë me pavarësinë e gjyqësorit dhe reformën në sistemin e drejtësisë.
“Vizioni im për Këshillin Gjyqësor do të mbështetet në vlerësimin për progresin e arritur ndër vite, por edhe për orientimin strategjik të administrimit të gjyqësorit në periudhën vijuese. Jam i bindur thellësisht se sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe gjyqësori në veçanti ka ende nevojë për vazhdimin e reformës, për avancimin e sistemit të performancës dhe për rritjen e nivelit të llogaridhënies. Vizionin tim e paraqes duke u mbështetur në disa shtylla kryesore. E para ka të bëjë me pavarësinë e gjyqësorit dhe reformën në sistemin e drejtësisë. Pra sot sfida jonë nuk është vetëm të ruajmë standardet dhe mekanizmat e ndërtuar, por t’i avancojmë ato në funksion të një gjyqësori të pavarur, më efikas, më transparent, më të besueshëm për qytetarët“, tha ai.
