Është shënuar përvjetori i dytë i hyrjes në fuqi i marrëveshjes së Kompaktit, i financuar nga SHBA përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për sektorin e energjisë, raporton Ekonomia Online.
Florina Dulaj – Sefa, kryeshefe Ekzekutive e Millennium Challenge Account (MCA) tregoi se çka përfaqëson programi në sektorin energjetik.
Ajo shtoi se ky program përfaqëson një nga investimet më të mëdha në dekadat e fundit dhe e pozicionon vendin tonë si një nga liderët rajonalë në inovacion në këtë fushë.
“Ky program përfaqëson një angazhim strategjik për Kosovën në tri drejtime kryesore: Forcimin e sigurisë energjetike dhe ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm (përfshirë korporatën për ruajtjen e energjisë, si një nga këto);Investimin në kapitalin njerëzor dhe Krijimin e hapësirës për nxitjen e investimeve të sektorit privat në sektorin e energjisë”
“Sot, ky angazhim po përkthehet në rezultate konkrete. Kemi përfunduar dizajnin dhe në koordinim të plotë me MCC-në kemi avancuar në fazën finale të prokurimit për sistemin e ruajtjes së energjisë përmes baterive — një investim strategjik ky me kapacitet prej 340 megavat-orë, që do të rrisë ndjeshëm stabilitetin dhe fleksibilitetin e sistemit energjetik në vendin tonë”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj ky investim është një nga investimet më të mëdha në dekadat e fundit.
“Ky përfaqëson një nga investimet më të mëdha në dekadat e fundit dhe e pozicionon vendin tonë si një nga liderët rajonalë në inovacion në këtë fushë. Paralelisht kemi bërë hapa të rëndësishëm në krijimin e Korporatës për Ruajtjen e Energjisë, e cila me funksionalizimin e plotë të bordit të saj që pritet së shpejti, do të shërbejë si mekanizëm institucional për operimin dhe menaxhimin e baterive”
“Në shtyllën e kapitalit njerëzor, përmes partneritetit me Universitetin e Prishtinës, kemi nisur krijimin e qendrës së trajnimit dhe inovacionit në energji, së bashku me laboratorët e saj — një investim ky që synon të ndërtojë kapacitete të avancuara të ardhshme të profesionistëve të sektorit”
“Të dashur miq, këto rezultate janë pjesë e një programi të integruar që synon transformimin afatgjatë të këtij sektori në Kosovë. Qëllimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe të përgatitur për të ardhmen. Dhe mbi të gjitha, të sigurohemi që ky investim të mos matet vetëm me megavat, por me ndikimin real mbi mjedisin, ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve tanë”, tha Dula – Sefaj.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tregoi mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën dhe për programin.
Sipas Rizvanollit, edhe pse ky program ka hyrë në fuqi para dy vitesh, një vit ka pasur shumë paqartësi për të ardhmen e programit, nëse do të ekzistonte dhe nëse do të vazhdonte
“Unë e kisha një fjalim të përgatitur, që ishte një fjalim tipik prej politikani, por gjithashtu që përfshinte të gjitha ato që unë i kam thënë për këtë program tash e dy vite ose edhe më shumë. Prandaj unë nuk do ta bëj këtë, nuk do t’i përsëris të njëjtat gjëra edhe njëherë. Unë nuk mund të qëndroj këtu para jush dhe të bëhem kinse nuk ka ndodhur asgjë brenda këtyre dy viteve dhe se është një hap i thjeshtë procedural ky dy vjetor sot, që ndoshta në një periudhë tjetër të zhvillimeve tipike nuk do t’ia vlente të ishim këtu fare sot”
“Mirëpo, dy vitet e fundit nuk kanë qenë të tilla në shumë aspekte, dhe sidomos jo për këtë program. Siç e dini, programi ka filluar, ka hyrë në fuqi para dy vitesh, mirëpo faktikisht një vjet ka pasur shumë paqartësi për të ardhmen e programit: nëse do të ekzistonte, nëse do të vazhdonte apo jo”, ka deklaruar Rizvanolli.
“Ka qenë një ndjenjë shumë e rëndë, një periudhë shumë e rëndë për të gjithë ne që kemi punuar shumë për këtë program. Jo vetëm sepse kishim frikë se do ta humbim këtë program, mirëpo realisht ky moment e tregoi atë që kemi thënë prej fillimit: që ky është program që është në thelb të strategjisë sonë të energjisë. Që do të thotë se pa këtë program, pa këtë fleksibilitet të sistemit, ne nuk do të mund t’i integronim burimet e ripërtëritshme të energjisë të cilat i kishim planifikuar. Dhe momenti kur kishte rrezik që ta humbnim këtë, e bëri edhe më të qartë rëndësinë e projektit, më të qartë se kurrë.
Mirëpo, në anën tjetër, kjo na dha një mundësi që të gëzohemi edhe njëherë prej fillimit kur programi u vazhdua nga administrata e Presidentit Trump, ku Kosova ishte ndër vetëm një grup shtetesh ku programi vazhdoi, dhe aty vazhdoi pa ndryshime në strukturë dhe në financa. Kjo padyshim ishte një vulë e rëndësishme që i dha jo vetëm rëndësi programit, mirëpo ishte një vulë e rëndësishme gjithashtu që i dha edhe partneritetit tonë, marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qëndruar partnerë në kohë të vështira e të mira përgjatë zhvillimit tonë si shtet. Marrëdhënie që janë të sinqerta dhe që në themel kanë vlerat e përbashkëta dhe parimet e përbashkëta që janë shumë përtej thjesht interesave të momentit ose interesave ekonomike. Prandaj, sigurisht që ia vlen që të jemi këtu sot dhe të shënojmë këtë përvjetor”
“Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe shumë gjëra të tjera, prej se kanë filluar që nga negociimi i Kompaktit e hyrja në fuqi e gjithçka tjetër. Është ndërruar administrata në SHBA. Unë për vete kam qenë një mandat të plotë ministre, 10 muaj ministre në detyrë, dy muaj ministre prapë, a tre apo sa u bënë, tash prapë ministre në detyrë. Në ambasadë kanë ndërruar dy ambasadorë dhe kemi pasur të ngarkuar me punë, mirëpo një gjë është dëshmuar: që rezilienca e Kompaktit është e fortë dhe po vazhdon pavarësisht të gjitha zhvillimeve, dhe kjo na bën të lumtur.
Përgjatë kësaj kohe janë kryer edhe shumë punë. Megjithëse ka pasur sfida, ekipi dhe të gjithë ne që jemi angazhuar në forma të ndryshme, qoftë në bord qoftë në forma të tjera, kemi vazhduar punën që të mundësojmë që në momentin që qartësohet projekti, të jemi në gjendje të vazhdojmë, mirëpo prapëseprapë edhe nëse kjo nuk do të ndodhte”
“Në ndërkohë Ka filluar partneriteti për themelimin e Qendrës për Inovacion dhe Aftësim në Energji në Universitetin e Prishtinës, për bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës. Është dizajnuar projekti i sistemit të baterive dhe është në fazën finale të prokurimit, siç e përmendi edhe drejtoresha. Është themeluar ndërmarrja korporatë e ruajtjes së energjisë, apo KRE (Energy Storage Corporation), e cila do të ketë në pronësi 250 megavat në orë nga ky kapacitet, përderisa siç e dini 90 megavat të tjerë do të jenë në pronësi të KOSTT-it”.
“Vula e këtij organizimi, e kësaj ndërmarrjeje të re publike, planifikon që ta mbrojmë jo vetëm mjedisin por edhe xhepin e qytetarëve, dhe me këtë funksionalizohet edhe kjo ndërmarrje e re që po i shtohet sektorit tonë, që do të jetë shumë e rëndësishme në të ardhmen. Programi po vjen në një kohë kur është koha më e duhur për Kosovën. Dhe kjo është e qartë, drejtoresha foli më herët jo vetëm për megavatët, por për ndikimin real, dhe mendoj që tani ku jemi, ndikimi real tashmë është shumë i qartë”, tha Rizvanolli.
Anu Prattipati e ngarkuara me punë nga ShBA në Kosovë, tha se ky program qëndron si një nga investimet më domethënëse të SHBA-së në zhvillimin e Kosovës.
“Dua të falënderoj ekipin e MCC dhe MCA Kosova për të gjitha përpjekjet e tyre, ditë pas dite, duke përfshirë Florina Sefën, CEO e MCA Kosovës, dhe Rinorin, mikun dhe kolegun tonë, drejtor rezident i MCC. Kompakti i Kosovës prej 236.6 milionë dollarësh qëndron si një nga investimet më domethënëse të SHBA-së në zhvillimin e Kosovës. Është një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për sigurinë e energjisë, rritjen ekonomike dhe prosperitetin për dy vendet tona. Dy vjet më parë, ne nisëm një udhëtim ambicioz. Sot, ne mund të shohim rezultate reale Zhvillimi i infrastrukturës së ruajtjes së energjisë që do të forcojë besueshmërinë dhe fleksibilitetin e rrjetit. Programet e zhvillimit të fuqisë punëtore që po përgatisin gjeneratën e ardhshme të profesionistëve të energjisë në Kosovë. Ngritja e kapaciteteve institucionale në të gjithë organizatat kyçe të sektorit të energjisë. Partneritetet strategjike me Universitetin e Prishtinës dhe institucione të tjera që po hedhin bazat për sukses afatgjatë”.
“Siguria energjetike është siguri ekonomike. Një sistem energjetik modern dhe i besueshëm tërheq investime, krijon vende pune dhe fuqizon mundësitë. Kompakti i Kosovës adreson drejtpërdrejt sfidën e furnizimit jo të besueshëm me energji, një pengesë që ka prekur bizneset, familjet dhe konkurrencën e Kosovës për shumë kohë. Por asnjë nga ky progres nuk ndodh në izolim. Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në këto përpjekje, por suksesi varet nga përkushtimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës, sektorit privat, institucioneve financiare dhe shoqërisë civile. Ky është një partneritet në kuptimin më të vërtetë, që bën bashkë përvojën tonë më të mirë, burimet tona dhe vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen”.
“Ndërsa shohim përpara, le ta mbajmë këtë momentum. Së bashku, ne nuk po ndërtojmë vetëm objekte të ruajtjes së energjisë me bateri apo qendra trajnimi. Ne po ndërtojmë një themel për rritje të qëndrueshme, integrim rajonal dhe prosperitet të përbashkët. Ne po krijojmë mundësi të reja për kompanitë amerikane dhe kosovare njëkohësisht, dhe po përforcojmë rolin e Kosovës si një partner i besueshëm në një rajon ku stabiliteti dhe qëndrueshmëria kanë rëndësi edhe më shumë”, tha Prattipati.


