Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, ka zhvilluar takim me drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare të Kosovës, Genc Rraci, si dhe ushtruesin e detyrës së Kryeinspektorit të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, Florent Kuçi, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në sektorin financiar.
Sipas komunikatës, takimi u fokusua në ruajtjen e integritetit të sektorit financiar, respektimin e legjislacionit në fuqi dhe promovimin e konkurrencës së drejtë në treg, me theks të veçantë tek aktivitetet që kërkojnë vëmendje institucionale.
“Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në sektorin financiar dhe biznesor, avancimin e koordinimit ndërinstitucional, shkëmbimin e informacionit brenda kornizave ligjore, si dhe forcimin e bashkëpunimit në mbështetje të zbatimit efektiv të mandateve dhe përgjegjësive të secilit institucion”, thuhet në komunikatë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua zbatimit të Ligjit për Kripto-Asetet dhe rregulloreve të BQK-së për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve që lidhen me kripto-asetet.
Palët, sipas komunikatës, diskutuan për veprimet institucionale ndaj subjekteve financiare që operojnë në këtë fushë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të kërkesave ligjore dhe rregullative.
“U theksua nevoja për sigurimin që vetëm aktivitetet e licencuara të operojnë, në mënyrë që të mos cenohet integriteti financiar, mbrojtja e konsumatorëve dhe konkurrenca e drejtë”, thuhet më tej në njoftim.
Drejtuesit e institucioneve vlerësuan se bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional, në përputhje me mandatet dhe kompetencat ligjore të secilit institucion, mbetet thelbësor për zbatimin efektiv të legjislacionit dhe forcimin e besimit në treg.
Në fund të takimit, institucionet u dakorduan të vazhdojnë komunikimin dhe koordinimin profesional, përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve brenda kornizës ligjore, me synim mbështetjen e stabilitetit financiar dhe integritetit të tregut në Kosovë.