Të mërkurën në mbrëmje gjatë bisedave sy më sy me qytetarë përmes platformës “HAJDE FOLIM”, ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dha një nga deklaratat më të forta dhe më të drejtpërdrejta kundër “propagandës” politike që po qarkullon ndaj saj rreth një takimi të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues amerikan në Nju Jork.
Përballë një pyetjeje të një qytetari, Osmani i quajti këto pretendime “gënjeshtra të fabrikuara nga manipulues profesionistë”.
“Ne e kemi vetëm të vërtetën në anën tonë”, deklaroi Osmani, duke iu referuar sulmeve që e kanë quajtur “tradhtare” për pjesëmarrjen e saj në një takim të organizuar nga zyrtarë të lartë amerikanë me liderët e Ballkanit Perëndimor për promovimin e potencialit investues të rajonit.
Osmani hodhi poshtë një nga një pretendimet që po qarkullojnë në publik.
Sipas saj, pretendimi se takimi ishte mbajtur fshehtë është plotësisht i pavërtetë, pasi aktiviteti ishte publikuar në Përmbledhjen e Presidencës zyrtarisht që në shtator, në kohën kur kishte ndodhur.
Ajo mohoi gjithashtu akuzat se ambasadori i Kosovës në SHBA nuk kishte qenë prezent, duke theksuar se ambasadori Ilir Dugolli dhe kabineti presidencial kishin marrë pjesë dhe kishin ndjekur të gjithë prezantimin për potencialin ekonomik të Kosovës.
Por reagimi më i fortë erdhi ndaj pretendimeve se takimi ishte organizuar nga një gazetar në Kosovë.
“Takimi ishte organizuar si tryezë SHBA–Ballkani Perëndimor dhe ishte ftuar nga Sekretari amerikan i Tregtisë, Scott Bessent, dhe ambasadori për misione të posaçme i Presidentit amerikan, Richard Grenell”, sqaroi Osmani, duke ironizuar propagandën që sipas saj po tenton të deformojë realitetin, shkruan klankosova.
Osmani tha se në atë forum morën pjesë liderë rajonalë të nivelit të lartë, përfshirë Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ministra dhe përfaqësues nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe vende të tjera të rajonit.
Në përgjigjen e saj, Osmani ngriti edhe pyetjen që po dominon debatin publik: pse po sulmohet një takim zyrtar, publik dhe ndërkombëtar, ndërkohë që askush nuk jep përgjigje për takimet e mbyllura “me orë të tëra” me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe emisarin evropian Miroslav Lajçak?
“Aty nuk kishte dëshmitarë dhe as transkripte”, tha ajo, duke lënë të kuptohet se transparenca duhet të vlejë për të gjithë.
Osmani tha se ka përfaqësuar Kosovën në dhjetëra forume ndërkombëtare gjithmonë përballë në ballafaqim me armiqtë që kanë tentuar të mohojnë shtetësinë dhe të vërtetën e Kosovës.
“Kam mbrojtur Kosovën fort, me argumente, me dinjitet dhe pa u përkulur para askujt”, deklaroi ajo.
Sipas Osmanit, sulmet nuk vijnë sepse Kosova është dobësuar e përfaqësuar keq, por pikërisht sepse është mbrojtur fort.
“Nëse ata kanë propagandën, ne kemi të vërtetën”, ishte fjalia që mbylli një nga reagimet më të forta politike të muajve të fundit me një mesazh që synon të mobilizojë qytetarët përballë manipulimit propagandues e denigrues dhe të rikthejë fokusin tek interesat shtetërore të Kosovës.