Rrogat rriten, por çmimet shtrenjtohen më shumë – Paga reale vlen 150 euro më pak se në 2020-ën

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Rritja e pagave po zhvlerësohet nga inflacioni i lartë tregojnë të dhënat e INSTAT. Edhe pse paga nominale mesatare ka kapërcyer kufirin e 86,000 lekëve në tremujorin e fundit 2025 vlera reale e saj ka mbetur shumë pas, për arsye se paga reale për të njëjtën periudhe ishte vetëm 72,225 lekë, 14,759 lekë më e ulët ose 17 % më pak se nominalja.

Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 86 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 72 mijë lekë.

Ndonëse pagat e qytetarëve janë rritur në vlerë monetare, fuqia e tyre blerëse po bie me hapa të shpejtë. Në tremujorin e fundit të 2025 hendeku ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale ishte -17% dhe ka pësuar zgjerim vitin e kaluar. Në fillim të vitit 2023 kjo diferencë ishte më e ulët, me vetëm 12 %. Duke qenë se baza e krahasimit është viti 2020 çdo tremujor reflekton inflacionin e akumuluar duke e rritur me tej hendekun ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale.

Këto të dhëna tregojnë se standardi i jetesës po përballet me presion, pasi pagat më të larta nuk kanë arritur të neutralizojë shtrenjtimin e jetesës, duke e lënë konsumatorin me një fuqi blerëse dukshëm më të dobët se në fillim të dekadës.

Rritja e çmimeve po ecën me një hap shumë më të shpejtë sesa rritja e të ardhurave.

Një faktor tjetër është vonesa e reagimit të tregut të punës. Ndonëse punëdhënësit po rrisin pagat nominale për të mbajtur stafin, këto rritje shpesh janë nuk arrijnë të kompensojnë plotësisht shtrenjtimin e jetesës që ka ndodhur muajt e mëparshëm.

Gjithashtu, politikat fiskale luajnë një rol negativ përmes fenomenit ku rritja nominale e pagës e kalon individin në një fashë më të lartë tatimore, duke bërë që një pjesë e mirë e rritjes të shkojë për taksa, ndërkohë që fuqia blerëse reale vazhdon të tkurret.

Goditjet e njëpasnjëshme në zinxhirët e furnizimit dhe paqëndrueshmëria e monedhës kanë bërë që vlerësimi real i parasë të pësojë rënie.

Diferenca ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale po thellohet edhe për shkak se rritja e tyre nuk erdhi nga produktiviteti në ekonomi, por nga presionet e fuqisë punëtore. Rritja e pagave me vendime e stimuloi edhe me shume rritjen e çmimeve duke e ulur në vërtetë vlerën reale të pagave./monitor

Të ngjashme