Bedri Hamza: Nga ekonomia te drejtësia, plani me 5 zotime për ta ndryshuar Kosovën

Prishtinë | 29 Maj 2026 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar pesë zotimet e tij kryesore për t’i dhënë fund krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën. Hamza ka thënë se po vjen koha e rezultateve.

Zotimi i parë i Hamzës ka të bëjë me premtimet për çmime e tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta dhe mbështetje për bizneset.

“50% më shumë para në xhepin e çdo familjeje kosovare. Më shumë mirëqenie për të gjithë”, premton ai.

Zotimi i dytë ka të bëjë me investimet në energji, infrastrukturë dhe teknologji të reja.

“Që Kosova të prodhojë më shumë, të zhvillohet më shpejt dhe të mbajë ritmin me rajonin dhe botën”, thotë Hamza, duke premtuar investime në këtë fushë.

Zotimi i tretë i tij ndërlidhet me shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për çdo qytetar.

“Sigurime shëndetësore, barna falas për sëmundjet kronike dhe trajtim me dinjitet për secilin pacient. Shërimi është e drejtë, jo privilegj”, thotë Hamza.

Ndërsa, zotimi i katërt i Hamzës është arsim konkurrues, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë.

“Bursa, aftësi për tregun e punës dhe mbështetje për talentin e secilit të ri në Kosovë”, premton Hamza.

Dhe zotimi i fundit, i pesti me radhë, ka të bëjë me drejtësinë e pavarur, të paanshme dhe efikase.

“Zbatim i plotë i ligjit për të gjithë. Drejtësi që nuk vonon!”, premton Hamza.

Më 7 qershor, ai ka thënë se zgjedhja është e qartë dhe ajo u përket vetëm qytetarëve, që ta votojnë PDK-në dhe numrin 125. “Stop krizës. Ndrysho Kosovën!”, përfundon Hamza.

Të ngjashme