Ushtruesja e detyrës së Presidentes, njëherazi Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryetarin e Qendrës së Lëvizjes në Prizren dhe kandidatin për deputet, Artan Abrashi, qëndruan dje në Tetovë, ku u pritën nga kryetari i komunës, Bilall Kasami, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti dhe deputeti Bekim Qoku.
Vizita në Tetovë nisi me një takim të ngrohtë me kryetarin e komunës, Bilall Kasami, gjatë të cilit u diskutua për zhvillimet politike, sfidat dhe sukseset e arritura në qeverisjen lokale. Në takim u theksua se punimet në aksin Shkup–Bllacë pritet të nisin së shpejti, ndërsa po ndërtohen dy shkolla të reja, dy pishina dhe një stadium. Me këtë rast, kryetari Kasami dhe ekipi i tij u përgëzuan për punën dhe përkushtimin në shërbim të qytetarëve.
Pas takimit Haxhiu, së bashku me kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, morën pjesë në tubimin e madh të mbajtur në Sheshin Ilirida, ku qindra qytetarë ishin mbledhur për të dëgjuar mesazhet lidhur me zgjedhjet e 7 qershorit.
“Tetova, qyteti i historisë, dijes dhe qëndresës shqiptare, zë një vend të veçantë në historinë tonë kombëtare. Prej kryengritjeve për liri e deri te beteja për arsimin shqip, ky qytet mbetet simbol i sakrificës dhe përkushtimit kombëtar”, e nisi fjalën e saj Haxhiu.
Ajo kujtoi gjithashtu kontributin e brezave që mbrojtën gjuhën, arsimin dhe të drejtat e shqiptarëve në këto troje, si dhe solidaritetin e madh që Tetova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë treguar për Kosovën në periudhat më të vështira.
Në fjalën e saj, U.D. e Presidentes riafirmoi përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Tashmë ka rezultate konkrete nga projektet e përbashkëta, si funksionalizimi i sistemit ‘One Stop Shop’ në pikat kufitare, avancimi i projekteve infrastrukturore që lidhin më afër qytetarët e të dy vendeve përfshirë rrugën Prizren–Tetovë dhe aksin Bllacë–Shkup, si dhe zhvillimi i interkonektorit energjetik 400 kV Tetovë–Prizren”, tha ajo.
“Lidhjet dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Tetovës duhet të forcohen edhe më tej. Ashtu siç Tetova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë qenë gjithmonë pranë Kosovës, edhe Kosova do të jetë gjithmonë pranë tyre. Bashkëpunimi dhe investimi në projekte të përbashkëta mbeten garancia më e mirë për zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e shqiptarëve në rajon. Kur shqiptarët bashkëpunojnë, fitojnë qytetarët, zhvillohet ekonomia dhe forcohet e ardhmja jonë.”
Në përmbyllje Haxhiu, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut që kanë të drejtë vote në Kosovë:
“Për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe kanë të drejtë vote në Kosovë, thirrja është e qartë: më 7 qershor, Kosova ka nevojë edhe për zërin tuaj. Ejani, votoni dhe bëhuni pjesë e vendimit për rrugën përpara.”