Këngëtarja e njohur kosovare, Shkurte Fejza, ka reaguar me një mesazh të ndjerë kundër dhunës ndaj grave, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga institucionet dhe shoqëria për parandalimin e tragjedive familjare.
Në reagimin e saj, ajo thekson se dhuna ndaj grave nuk është çështje private apo thjesht familjare, por një plagë shoqërore që kërkon ndërhyrje në kohë, mbrojtje për viktimat dhe përgjegjësi nga të gjithë, shkruan Indeksonline.
“Gruaja nuk është pronë e askujt. Ajo nuk është objekt mbi të cilin mund të ushtrohet pushtet, zemërim apo dhunë. Ajo është jetë, dinjitet, dashuri, nënë, bijë, motër dhe qenie njerëzore me të drejta të barabarta”, thuhet në mesazhin e saj.
Fejza u ka bërë thirrje institucioneve që të mos mjaftohen vetëm me reagime pas tragjedive, por të veprojnë me vendosmëri për parandalimin e tyre. Ajo gjithashtu ka kërkuar nga familjet dhe burrat që të mos heshtin përballë dhunës, duke theksuar se heshtja mund të ketë pasoja të rënda.
“Një ndërhyrje me kohë mund të shpëtojë një jetë”, është një nga mesazhet e saj, përmes të cilit ajo u bën thirrje të gjithë atyre që dinë për një grua që jeton në frikë, të mos e kthejnë heshtjen në bashkëfajësi.
Në fund të reagimit, Shkurte Fejza shpreh ngushëllimet e saj për familjen e Arlinda Zekës, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për një shoqëri ku gratë jetojnë të lira, të respektuara dhe të sigurta.
“Një apel për jetën. Një apel për ndërgjegjen. Një apel për të ardhmen tonë”, përfundon ajo.
