Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka përfaqësuar komunitetin e biznesit të Kosovës në Konferencën e Nivelit të Lartë “Trust and Partnership at the Heart of EU Enlargement”, e cila po mbahet në Vjenë të Austrisë.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, është përfaqësuesi i vetëm nga organizatat ekonomike të Kosovës në këtë forum të rëndësishëm evropian, ku po diskutohen sfidat dhe perspektivat e zgjerimit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i EESC – European Economic and Social Committee, Seamus Boland, theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes tri shtyllave kryesore: sundimit të ligjit, administratës publike efikase dhe qeverisjes së mirë, si dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Biznese dhe shoqëria civile e Kosovës duhen të janë pjesë kyçe e këtij rrugëtimi evropian dhe duhen të vazhdojnë të jenë zëri i zhvillimit, partneritetit dhe integrimit të Kosovës në familjen evropiane.
Në kuadër të diskutimeve u theksua edhe fakti se Instrumenti i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk po avancon me ritëm të barabartë në të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ndodhen në një fazë më të avancuar të zbatimit të Planit të Rritjes, ndërsa Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina po përballen me progres më të ngadalësuar në realizimin e reformave dhe përfitimin nga ky mekanizëm evropian.
AKB konsideron se përshpejtimi i reformave ekonomike, forcimi i dialogut institucional dhe mbështetja më e madhe për sektorin privat janë thelbësore që Kosova të mos mbetet prapa në procesin e integrimit dhe zhvillimit ekonomik evropian.