Është hapur panairi AGROKOS & EXPOKOS 2026, në të cilin u tha se duhet të bëhet përpjekje më e madhe për të ulur deficitin tregtar dhe për të rritur prodhimin vendor, raporton Ekonomia Online.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila duke folur në këtë panair tha se shteti i kosovës duhet ët fuqizohet dhe të rritet besimi në produktet Made in Kosova.
“Tani po vij nga një prezantim i cili sapo është bërë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbi shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe mallrave minimalisht të përpunuara në Kosovë. Prezantim ky i cili tregon për përparësitë konkurruese të disa prej sektorëve të prodhimit. Prezantimi dhe hulumtimi disamujor është mbështetur nga Dukati i Madh i Luksemburgut përmes organizatës për zhvillim LuxDev. Dhe kjo është një mënyrë më e mirë për të treguar se cilat janë kapacitetet e prodhimtarisë në Kosovë. Na duhet përpjekje më e madhe bashkërisht për të ulur deficitin tregtar, për të rritur produktet e prodhimit vendor, e natyrisht për të fuqizuar shtetin e Kosovës, mirëqenien e qytetarëve, e gjithashtu edhe ngritur kredibilitetin dhe besimin në produktet Made in Kosova”, tha Kusari Lila.
Ajo tha se me një sektor privat të fortë edhe Kosova është e fortë, duke shtuar se përmes resurseve që ka vendi duhet ta ngrisim edhe ekonominë aty ku e meriton.
“Secili prej nesh e secila prej nesh din për burimet e energjisë e gjithashtu edhe për potencialin që e kemi si vend. Andaj ajo çka është shumë e rëndësishme është që atë potencial ta promovojmë, që përmes resurseve që na ka falë Zoti dhe natyra, Bjeshkët e Nemuna dhe resurse të tjera natyrore, përmes zellit e vullnetit e talentit të njerëzve tanë, të ngrisim ekonominë aty ku e meriton. Dhe llogaritni në bashkëpunim dhe në bashkërendim tonin si qeveri, si ministri, që të jemi afër, që të komunikojmë dhe të zhvillojmë biznesin dhe sektorin privat. Me një sektor privat të fortë, vendi ynë është i fortë, se ju jeni bartësit edhe të punësimit, edhe të zhvillimit të vendit”, tha Kusari Lila.
Bekim Xhafa nga “Agrokos”, tha se ky është viti i 26-të që kur organizohet ky panair, e i cili sipas tij ka shërbyer për të gjitha bizneset start-up për të hyrë në treg.
“Të nderuar ekspozues, mirë se keni ardhur në hapjen e edicionit të 26-të të panairit ‘EXPO KOSOVA’, i cili për 26 vite ka shërbyer për të gjitha ato biznese start-up-e menjëherë pas luftës për t’ju mundësuar hyrjen në treg, për t’ju mundësuar të tjerëve rritjen në treg dhe atyre që kanë pasur apetite më të mëdha, për t’ju mundësuar daljen në tregjet jashtë Kosovës, në rajon dhe në botë. Për 26 vite jemi rritur me ju së bashku dhe kemi përcjellë pothuajse çdo biznes që ekziston në Republikën tonë, i cili është edhe punëdhënësi i qytetarëve tanë, i cili është edhe taksapaguesi i këtij vendi. Dhe mendoj që kontributi për 26 vite i ndërtimit të konceptit të panairit për shtetin tonë, pas një shteti të ri të krijuar po them, një meritë e jona e përbashkët”, tha ai.
“Dhe ju falënderoj të gjithëve që na keni përcjellë në këtë iniciativë dhe keni besuar që ne në Kosovë mundemi të ndërtojmë një panair, vetëm Kosovën e ka lënë anash, të gjitha shtetet e tjera, të gjitha republikat e kanë pasur”, tha Xhafa.
Mirsad Jasarspahic, kryetar i Odës Ekonomike e Bosnjës dhe Hercegovinës, ka treguar se më vendimin e Qeverisë për t’ua larguar vizat këtyre të fundit është lehtësuar pjesëmarrja në panairet në Kosovë.
“Në 10 vitet e fundit, ne kemi qenë vazhdimisht në bashkëpunim me biznesmenë nga Bosnja dhe Hercegovina, të cilët vijnë për të promovuar produktet e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe për të prezantuar mundësi të tjera partneriteti këtu në Kosovë dhe në përgjithësi në rajonin tonë të Ballkanit. Është shumë e rëndësishme ta përmendim këtë, sepse e dini që gjatë 10 viteve të fundit kemi pasur ndoshta procedurën më të vështirë për udhëtim. Ne jemi shumë afër mes Prishtinës dhe Sarajevës, por në të kaluarën kishim procedura shumë të ndërlikuara për të udhëtuar për shkak të regjimit të vizave. Vitin e kaluar, Republika e Kosovës mori një nga vendimet më të rëndësishme për biznesin, sipas mendimit tonë, duke hequr regjimin e vizave për Bosnjën. Kjo ka bërë që sot të jetë shumë më e lehtë që biznesmenët nga Bosnja të vijnë këtu.Kjo do të thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës vitin e kaluar për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjës do të dëshmohet si vendimi më i rëndësishëm i vitit për biznesin, sipas vlerësimit tonë në Odën Ekonomike të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha ai.


