Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, ka pritur në takim Shefen në Detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.
Sipas një njoftimi për media, Thaqi dhe Palatova diskutuan për zhvillimet në sistemin gjyqësor dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
“Fillimisht, Palatova e uroi Kryesuesin Thaqi për zgjedhjen në krye të KGJK-së, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit dhe në zhvillimin e mëtejmë të sistemit gjyqësor në Kosovë.
Kryesuesi Thaqi falënderoi shefen në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj institucioneve të drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në funksion të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
Nga ana tjetër, znj. Palatova ritheksoi përkushtimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për të vazhduar mbështetjen ndaj institucioneve të drejtësisë dhe proceseve reformuese në vend.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe konfirmuan angazhimin në drejtim të avancimit të mëtejmë të këtyre proceseve me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, jetësimin e proceseve reformuese në drejtësi si dhe realizimin e Agjendës Legjislative dhe asaj evropiane të reformave”, thuhet në njoftim.