Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka reaguar ndaj kritikave dhe sulmeve politike që, sipas tij, po i vijnë nga pushteti, duke i lidhur ato me synimin e tij për forcimin e Partisë Demokratike të Kosovës në kryeqytet.
Në një postim në Facebook, Ismaili tha se PDK-ja aktualisht është forca e dytë politike në Prishtinë dhe se ka tejkaluar Lëvizjen Vetëvendosje në Kuvendin Komunal.
“Synimi im politik me e rritë PDK-në në Prishtinë, ku sot jemi forca e dytë dhe e kemi tejkaluar Vetëvendosjen në asamble, është arsyeja e sulmeve dhe propagandës së parreshtur të këtij pushteti ndaj meje”, ka shkruar Ismaili.
Ai u shpreh i bindur se pushtetit aktual po i afrohet fundi, derisa theksoi se do të vazhdojë angazhimin e tij deri në fitoren e PDK-së.
“Por, aq sa është e sigurtë se këtij pushteti po i vjen fundi, është edhe më e sigurtë se mua nuk më ndal asgjë deri në fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Ismaili.