Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një deklaratë të përbashkët të kandidates për presidente, Vjosa Osmani dhe kandidatit për kryeministër, Lumir Abdixhiku duke e cilësuar çështjen e gazit amerikan si pjesë të rëndësisë strategjike dhe të sigurisë kombëtare të vendit.
Sipas deklaratës, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën një mesazh të qartë për orientimin strategjik të Kosovës.
“Qëndrimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
LDK thekson se çështja e gazit amerikan nuk lidhet vetëm me aspektin ekonomik, por edhe me arkitekturën e sigurisë në rajon.
“Çështja e gazit amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike… Ajo është pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-të po ndërtojnë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor”, theksohet më tej.
Në deklaratë kritikohet edhe mënyra se si, sipas tyre, Kosova ka menaxhuar sektorin e energjisë në vitet e fundit.
“Fatkeqësisht, gjatë viteve të fundit, Kosova është larguar nga ky projekt strategjik, ndërsa ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro për import të energjisë elektrike”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, vendi rrezikon të mbetet jashtë zhvillimeve strategjike energjetike në rajon.
“Sot përballemi me një realitet shqetësues: Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan”, thuhet në deklaratë.
Në pjesën më të fortë të deklaratës, theksohet se orientimi drejt SHBA-së është i panegociueshëm për Kosovën.
“Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë”, thuhet në deklaratë.
LDK ka bërë të ditur se, në rast të ardhjes në pushtet, do të zbatojë politikë të re energjetike të bazuar në partneritet me Shtetet e Bashkuara.
“Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë”, theksohet në deklaratë.