Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar lidhur me debatin për përfshirjen e Kosovës në projektet energjetike të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke akuzuar Qeverinë Kurti se ka lënë vendin jashtë nismave strategjike rajonale.
Përmes një postimi publik, Kica-Xhelili ngriti pyetjen se në cilin drejtim po orientohet Kosova, duke e lidhur çështjen e gazit amerikan me pozicionimin gjeopolitik të vendit.
“Pyetja nuk është vetëm nëse e duam gazin si projekt energjetik. Pyetja është shumë më e thellë: me kë po e duam të lidhur Kosovën?”, shkroi ajo.
Kica-Xhelili rikujtoi se në vitin 2021 Kosova kishte mundësinë të përfshihej në një projekt rajonal të gazit të mbështetur nga SHBA-të, por sipas saj, kjo mundësi u refuzua nga qeveria aktuale.
Ajo theksoi se, ndërsa Shtetet e Bashkuara po e konsiderojnë energjinë në Ballkan si prioritet të sigurisë dhe po synojnë zëvendësimin e gazit rus me gaz natyror të lëngshëm (LNG) amerikan, Kosova rrezikon të mbetet jashtë këtyre zhvillimeve.
Kica-Xhelili ngriti një sërë pyetjesh ndaj qeverisë, duke kërkuar përgjegjësi për, siç tha ajo, lënien e Kosovës jashtë projekteve strategjike dhe humbjen e kohës me “ideologji, populizëm, linçime dhe propagandë”, ndërkohë që vendet e rajonit po forcojnë lidhjet me Perëndimin.
Sipas saj, mosintegrimi në projektet energjetike të mbështetura nga SHBA-të përbën një favorizim indirekt të ndikimit rus në rajon.
Në fund të reagimit, deputetja e LDK-së tha se zgjedhjet e ardhshme do të kenë rëndësi të veçantë për orientimin strategjik të Kosovës.
“Vota juaj përcakton më shumë se kurrë se ku po e vendosim pikën: në Amerikë apo në Rusi”, ka deklaruar Kica-Xhelili.