Osmani nga Podujeva: Bashkimi ynë nuk ka ndodhur për kalkulime, por sepse Kosova është në rrezik

Prishtinë | 04 Qer 2026 | 20:18 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për presidente e Kosovës, Vjosa Osmani në tubimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë ka folur për orientimin shtetëror të Kosovës, raportet me aleatët ndërkombëtarë dhe nevojën për unitet politik, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se vendi ndodhet para një momenti të rëndësishëm për të ardhmen e tij, duke e cilësuar zgjedhjen e qytetarëve si përcaktuese për drejtimin që do të marrë Kosova.

“Kosova po hyn në një fazë vendimtare, një moment kur së bashku me ju do të zgjedhim mes izolimit dhe partneritetit, do të zgjedhim mes arrogancës dhe demokracisë. Do të zgjedhim, llapjanë të dashur, mes propagandës në njërën anë dhe shtetit serioz që na la amanet Rugova në anën tjetër. Kjo është zgjedhja jonë dhe nuk ka vend më simbolik se Llapi për ta marrë këtë vendim”, deklaroi Osmani.

Ajo vlerësoi rolin e Llapit në historinë e LDK-së dhe në ruajtjen e filozofisë politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Llapi nuk është thjesht një rajon i Kosovës. Llapi ka qenë dhe mbetet zemra e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Është vendi ku fjala e Ibrahim Rugovës është ruajtur si amaneti më i shenjtë. Është vendi ku besimi në Kosovën euroatlantike nuk është shuar kurrë. Presidenti Rugova e donte Llapin me gjithë zemër. E donte për urtësinë, për qëndrueshmërinë, për besnikërinë ndaj shtetit dhe ndaj aleatëve që na qëndruan pranë në momentet më të errëta”, tha ajo.

Osmani tha se bashkimi politik i saj me LDK-në nuk është bërë për interesa të ngushta politike, por për shkak të shqetësimeve për drejtimin që po merr vendi.

“Prandaj sot nga Llapi e themi qartë: bashkimi ynë nuk ka ndodhur për kalkulime, por ka ndodhur sepse Kosova është në rrezik ta humbasë drejtimin e saj shtetëror. Ka ndodhur sepse një alternativë që premtonte shpresë, solli vetëm përçarje, sepse ata që premtuan demokraci po e ushqejnë polarizimin çdo ditë. Kosovës nuk i duhen njerëz që i shpallin luftë secilit që mendon ndryshe, Kosovës i duhet lidership që bashkon”, u shpreh ajo.

Duke folur për pasojat e polarizimit politik, Osmani tha se përçarjet po dëmtojnë kohezionin shoqëror dhe raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

“Përçarja është e rrezikshme për vendin tonë sepse i ndan motrat e vëllezërit mes vete, e rrezikshme sepse i dëmton raportet me aleatët tanë strategjikë, e rrezikshme sepse po e normalizon gjuhën e konfliktit të brendshëm, e rrezikshme sepse po krijohet klimë ku çdo institucion kërkohet t’i nënshtrohet një njeriu të vetëm, e rrezikshme sepse po e largon Kosovën nga filozofia rugoviste e shtetndërtimit”, deklaroi ajo.

Osmani theksoi se e ardhmja euroatlantike e Kosovës lidhet ngushtë me ruajtjen e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ju e dini, llapjanë të dashur, që nuk mund ta forcojmë shtetin duke i dobësuar aleancat tona. Nuk mund të ecim drejt NATO-s e BE-së me arrogancë ndaj atyre që dëshirojnë të na ndihmojnë. Kosova mund të jetë e vogël në territor, por është e madhe kur qëndron pranë aleatëve të saj dhe aleanca me Amerikën është themeli i shtetit tonë, të cilën ne do ta ruajmë bashkë me Llapin e Ibrahim Rugovës”, tha Osmani.

Të ngjashme