Byers: LNG-ja amerikane mund të forcojë sigurinë energjetike të Kosovës

Prishtinë | 10 Qer 2026 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Në një diskutim të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”, Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Energjisë së Shteteve të Bashkuara për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Dan Byers, riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Kosovës në drejtim të diversifikimit të burimeve të energjisë dhe rritjes së sigurisë energjetike.

Gjatë fjalës së tij, Byers theksoi se siguria energjetike lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të alternativave të furnizimit me energji.

“Siguria energjetike është siguri kombëtare. Qëndrueshmëria energjetike matet përmes diversifikimit të burimeve dhe alternativave të furnizimit. Thëngjilli vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm si bazë e sistemit energjetik të Kosovës, por gazi i lëngshëm natyror mund të bëhet një komponent i rëndësishëm i miksit energjetik të vendit në të ardhmen, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e kërkesës për energji”, citohet të ketë thënë ai.

Duke folur për kapacitetet amerikane të furnizimit me LNG, Byers vuri në pah rolin e Shteteve të Bashkuara në tregun global të energjisë dhe mbështetjen për aleatët evropianë.

“Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe kapacitetet tona të eksportit të LNG-së pritet të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme. Aktualisht furnizojmë rreth 60 për qind të importeve evropiane të LNG-së dhe do të vazhdojmë të luajmë një rol kyç në mbështetjen e partnerëve dhe aleatëve tanë përmes furnizimeve të sigurta dhe të diversifikuara me energji”, deklaroi Byers.

Ai theksoi se qasja në LNG nuk mund të realizohet pa investime në infrastrukturë dhe ndërlidhje rajonale, duke nënvizuar rëndësinë e projekteve që mundësojnë transportin dhe shpërndarjen e energjisë.

“Disponueshmëria e furnizimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk ekziston infrastruktura e nevojshme për ta sjellë atë energji te konsumatorët. Për këtë arsye janë të domosdoshme investimet në ndërlidhje rajonale dhe korridore energjetike që mund t’i japin Kosovës qasje në LNG. Departamenti i Energjisë mbetet i përkushtuar për të mbështetur projekte infrastrukturore dhe iniciativa rajonale që forcojnë sigurinë energjetike në Evropën Juglindore”, tha ai.

Duke iu referuar rekomandimeve të Odës Amerikane, Byers nënvizoi nevojën për planifikim afatgjatë dhe investime strategjike.

“Planifikimi afatgjatë, studimet e fizibilitetit, investimet strategjike dhe diplomacia energjetike janë elemente thelbësore për të siguruar që Kosova të jetë e përgatitur të përfitojë nga mundësitë që ofron LNG-ja. Këto hapa do t’i mundësojnë vendit të ndërtojë një sistem energjetik më të sigurt, më fleksibil dhe më të qëndrueshëm”, theksoi ai.

Byers riafirmoi gatishmërinë e Departamentit të Energjisë së SHBA-së për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës.

“Forcimi i sigurisë energjetike të aleatëve dhe partnerëve tanë mbetet një prioritet i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të gatshëm të mbështesim Kosovën përmes ekspertizës teknike, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit strategjik, në mënyrë që vendi të avancojë objektivat e tij energjetike dhe zhvillimore”, shtoi Byers.

Të ngjashme