Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe pranë shtatores së komandantit Zahir Pajaziti, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu tha se gjatë ditës kanë bërë homazhe në disa prej vendeve më simbolike të historisë së Kosovës, duke nderuar figurat që, sipas saj, kontribuuan në forma të ndryshme për lirinë e vendit.
“Atëherë, ditën e sotme e nisëm në Prekaz dhe vazhduam te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, më pas te varri i veprimtarit Adem Demaçi, dhe tani jemi këtu, te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti. Këta emra janë dëshmia se liria nuk erdhi nga një rrugë e vetme. Këta emra janë dëshmia se liria erdhi nga qëndresa dhe sakrifica e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, nga urtësia dhe këmbëngulja politike e Presidentit Ibrahim Rugova, nga rezistenca e veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, të cilit 28 vjet burgim nuk ia zbehën e as nuk ia thyen besimin në liri, si dhe nga guximi e trimëria e komandantit Zahir Pajaziti, por edhe nga gjaku i të gjithë dëshmorëve të kombit”, deklaroi Haxhiu.
Ajo theksoi se trashëgimia e heronjve dhe dëshmorëve duhet të shërbejë si udhërrëfyes për institucionet në ndërtimin e shtetit.
“Trashëgiminë që na lanë heronjtë dhe të gjithë dëshmorët duhet ta kemi si udhërrëfyes, si institucione, që shtetin ta bëjmë edhe më të drejtë, edhe më të fortë, edhe më të denjë. Lavdi dëshmorëve të kombit dhe faleminderit të gjithë atyre që bënë që Kosova të jetë e çliruar, e lirë dhe e pavarur”, tha Haxhiu.
