Limaj: 12 Qershori është dita që na rikthen në kujtesë sakrificën e madhe të popullit tonë

Prishtinë | 12 Qer 2026 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në ditën e çlirimit të Kosovës ka thënë se 12 Qershori na rikthen në kujtesë sakrificën e madhe të popullit tonë, guximin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ëndrrën për liri që u bë realitet.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Limaj ka thënë se me respekt kujton ata që dhanë jetën për atdheun.

Postimi i tij i plotë:

Sot, me krenari në zemër dhe me mirënjohje të pafund, kujtojmë ditën kur Kosova mori frymën e lirisë. 12 Qershori është dita që na rikthen në kujtesë sakrificën e madhe të popullit tonë, guximin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ëndrrën për liri që u bë realitet.

Me respekt të thellë kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për atdheun. Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së që sakrifikuan gjithçka që Kosova të jetojë e lirë.

Në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, shprehim mirënjohjen më të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe të gjithë aleatët që qëndruan pranë Kosovës në ditët më të vështira.

Gëzuar Dita e Çlirimit, Kosovë!

Lavdi UÇK-së!

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Të ngjashme