Ymeri: Kosova nuk duhet t’i nënshtrohet Albin Kurtit, i cili është kundër gazit amerikan

Prishtinë | 12 Qer 2026 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Janina Ymeri, kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur edhe për refuzimin e vazhdueshëm të projektit të gazit amerikan nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas saj, as Kurti dhe as ministrja Artane Rizvanolli nuk japin arsyetime pse po e refuzojnë projektin e gazit amerikan, edhe pas thirrjes së fundit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

“Këta as vetë nuk janë duke ditur se çka janë duke i thënë jo e çka po. Gjithashtu, edhe arsyetimet nuk kanë sens. Thonë se do ta bëjnë projektin e gazifikimit, ndërkohë që nuk ka as studim të fizibilitetit për gazifikimin e thëngjillit nga Kosova, e aq më pak kur edhe nxjerrja e thëngjillit është problem dhe në raportet zyrtare flitet për rënie të sasisë së nxjerrë të thëngjillit. Pra, ose është koincidencë e papërshkrueshme, ose është i qëllimshëm refuzimi i gazit amerikan, edhe si shqyrtim, edhe si projekt tash”, ka thënë Ymeri në EURO n’T7 .

Në anën tjetër, Janina Ymeri i ka bërë thirrje Ambasadës Amerikane në Prishtinë që për këtë projekt të mos flasë vetëm me disa persona që kanë pozita dhe të cilët nuk janë kredibilë, sepse kanë hyrë në grupe të WhatsApp-it për tendera, por që ky debat tepër i rëndësishëm për ekonominë dhe sigurinë e vendit të zhvendoset në një debat parlamentar, për të mos i lënë vend propagandës, pasi gazi për të cilin po flasim nuk është rus, por amerikan.

“Debati parlamentar është tepër i nevojshëm për të shmangur çdo ndikim të propagandës dhe që Ambasada Amerikane të na informojë për këtë projekt tepër të rëndësishëm për vendin, si dhe të na informojë se çfarë mund të bëjmë ne, tabori tjetër, që këtë projekt e sheh tepër të rëndësishëm për vendin. Ky pushtet i njëjtë në vitin 2021 e ka refuzuar projektin e gazit amerikan. As atëherë e aq më pak sot nuk është koha dhe as momenti të refuzohet një projekt i cili ka një dhjetëvjeçar që diskutohet për gaz amerikan. Në debat parlamentar ne mund t’i themi jo edhe shumë ligjeve, por para kësaj duhet të definohet pse po refuzohet ky projekt. Ne nuk duhet ta lëmë një njeri të vetëm me vendos për këtë projekt. Kush është Albin Kurti e kush është Artane Rizvanolli me i thanë jo projektit të gazit amerikan, njerëz të tenderave të WhatsApp-it? Edhe vetë Kurti dikur thoshte se shteti nuk i nënshtrohet një individi, e pse ne duhet t’i nënshtrohemi atij?”, ka shtuar Ymeri.

Të ngjashme