KQZ vazhdon numërimin e votave nga diaspora, pritet përmbyllja e vlerësimit të pakove me postë

Prishtinë | 14 Qer 2026 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i numërimit të votave të ardhura përmes postës, si dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga diaspora, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 7 qershor 2026.

Sipas KQZ-së, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vijon numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë vendit, ndërsa deri në orën 16:00 të së dielës janë numëruar 57 kuti votimi që përmbajnë zarfet e pranuara pas verifikimit nga shërbimi votues.

Institucioni zgjedhor ka bërë të ditur se deri tani janë regjistruar 156 kuti votimi në platformën e rezultateve, ndërsa procesi do të vazhdojë deri në përfundimin e vlerësimit të të gjitha pakove të ardhura nga diaspora.

Votimi përmes postës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

Paralelisht, po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime. Deri në përfundim të së shtunës janë trajtuar 75,590 pako, prej të cilave janë aprovuar 72,746, ndërsa janë refuzuar 2,844.

Sipas KQZ-së, arsyeja kryesore e refuzimit është mungesa e dëftesës së regjistrimit, e cila është evidentuar në 2,571 raste.

Raste të tjera përfshijnë dërgimin e më shumë se një fletëvotimi në një pako, votimin nga shtete të ndryshme nga ai i regjistrimit, mungesën e fletëvotimit apo dokumentacionit të plotë, si dhe raste të tjera teknike.

Po ashtu, janë evidentuar edhe 42 zarfe të dërguara gabimisht.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i vlerësimit të pakove të mbetura pritet të përmbyllet gjatë ditës së diel, duke mundësuar më pas finalizimin e rezultateve nga votimi me postë i diasporës.

Të ngjashme