Policia e Rajonit të Prishtinës ekzekuton 212 urdhëresa gjyqësore dhe shqipton mbi 3,500 gjoba brenda një jave

Prishtinë | 15 Qer 2026 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë kanë intensifikuar aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar, duke realizuar një numër të madh urdhëresash gjyqësore dhe masash në fushën e sigurisë dhe trafikut rrugor.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj periudhe në lokacione të ndryshme dhe në kuadër të aksioneve të ndara janë ekzekutuar gjithsej 212 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 61 kanë të bëjnë me vepra penale, ndërsa pjesa tjetër me kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime të ndryshme.

“Gjatë javës së kaluar janë realizuar 212 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 61 për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca dhe verifikime”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se, në përputhje me urdhëresat, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së obligimeve të përcaktuara.

Gjatë së njëjtës periudhë, aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë, ku janë sekuestruar katër armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi municioni.

Në fushën e sigurisë në komunikacionin rrugor, Policia Rajonale e Prishtinës ka bërë të ditur se janë shqiptuar gjithsej 3,595 masa administrative me gjobë për kundërvajtje të ndryshme, prej të cilave 591 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.

Policia ka theksuar se aktivitetet operative dhe kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë së përgjithshme.

Të ngjashme