Lëvizja Revolta paralajmëron aksion para MPB-së, kërkon transparencë për aplikimet për shtetësi të Kosovës

Prishtinë | 15 Qer 2026 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Revolta ka njoftuar se të martën, më 16 qershor, do të mbajë një aktivitet simbolik para Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke shprehur pakënaqësinë për mungesën e transparencës lidhur me aplikimet për shtetësi të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Revoltës, organizata ka kërkuar nga MPB-ja statistika zyrtare për numrin dhe kategoritë e aplikimeve për shtetësi, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje, pavarësisht se, sipas tyre, afatet ligjore për kthimin e një përgjigjeje kanë kaluar.

“Kemi kërkuar nga MPB statistika zyrtare për aplikimet për shtetësi, veçanërisht sa persona kanë aplikuar me dokumente të lëshuara nga Serbia, sa me dokumente nga shtete të tjera, sa aplikime lidhen me personat që më 1 janar 1998 kanë qenë shtetas të ish-Jugosllavisë dhe banorë të përhershëm të Kosovës, si dhe sa aplikime janë bërë nga pasardhësit e drejtpërdrejtë të këtyre personave”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Revolta ka kërkuar të dijë se sa nga këto aplikime janë aprovuar, refuzuar apo vazhdojnë të jenë në shqyrtim.

Sipas kësaj lëvizjeje, kërkesa nuk përfshin të dhëna personale, por vetëm statistika të përgjithshme që konsiderohen me interes publik.

“Këto janë statistika publike, të përgjithshme dhe anonime. Ne nuk kemi kërkuar të dhëna personale, por vetëm numra që janë me interes publik. Megjithatë, edhe pse afatet ligjore për përgjigje kanë kaluar, MPB nuk na ka kthyer përgjigje zyrtare”, thuhet më tej në reagim.

Për këtë arsye, Revolta ka bërë të ditur se do të organizojë një aktivitet simbolik para objektit të MPB-së, duke kërkuar më shumë transparencë nga institucioni lidhur me procesin e aplikimeve për shtetësi.

Aktiviteti do të mbahet më 16 qershor, në ora 14:30, para Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë.

Të ngjashme