Anëtari i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke e akuzuar për bllokada, dështime dhe paralizë institucionale, me theks të veçantë te mungesa e Kryeprokurorit të Shtetit për më shumë se katër vite.
Sipas tij, Qeveria që kishte premtuar forcimin e shtetit dhe reforma në drejtësi, sot po mbahet mend për institucione të bllokuara. Ai e cilësoi të papranueshëm faktin që një institucion kyç i drejtësisë vazhdon të funksionojë pa udhëheqës.
“Qeveria e “ndryshimit” është shndërruar në qeverinë e anarkisë dhe të ngulfatjes institucionale”, ka shkruar Selmanaj.
Ai ka komentuar edhe procedurat aktuale për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke paralajmëruar se, bazuar në deklarimet publike të kryeministrit Albin Kurti, mund të propozohet një kandidat i afërt me pushtetin.
“Ky do jetë fundit i shtetit ligjor dhe përmbysje e demokracisë. Pasojat do i paguajm rëndë të gjithë!”, shkroi ai.
Selmanaj përfundoi duke thënë se pas më shumë se pesë vitesh qeverisje, përgjegjësia për këtë gjendje, sipas tij, bie mbi Albin Kurtin dhe rrethin e tij politik.